Ilustrim: Aeroporti i Prishtinës - Foto: Aeroporti

VV përkrah grevën e punëtorëve në Aeroport

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë në përkrahje të punëtorëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, të cilët që disa ditë kanë nis një grevë ku po kërkojnë respektimin e të drejtëve të tyre.

Nëpërmjet një njoftimi, Vetëvendosje ka thënë se duhet të dëgjohen kërkesat e punëtorëve të aeroportit

“Në periudhën kur fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” po rriten, e rrjedhimisht po rriten edhe te hyrat për kompaninë private që e ka marrë me koncesion, të drejtat e punëtorëve po shkelen çdo ditë e më shumë. Eliminimi i dallimeve në paga, pagesa për përvojën e punës, pagesa për orët e punës gjatë vikendit dhe të drejta të tjera që parashihen në Ligjin e Punës, janë vetëm disa nga kërkesat e punëtorëve”, thuhet në njoftim të LVV-së.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! ka kohë qe ka paralajmëruar dëmet e politikave neoliberale të imponuara mbi ekonominë dhe shoqërinë e Kosovës dhe i ka kundërshtuar ato. Imponimi është bërë në forma të ndryshme, herë privatizim e herë koncesionim, por rezultatet kanë qenë të njëjta: shpronësim i qytetarëve e shkelje e të drejtave të punëtorëve”, thuhet tutje në reagimin e Vetëvendosjës.

Partia e Albin Kurtit i ka bërë thirrje menaxhmentit që të filloj dialogun me punëtorët.

“Thirrjet e menaxhmentit për ta anuluar grevën dhe protestën do të ishin legjitime, nëse punëtorëve do t’u ofrohej dialogu nga menaxhmenti dhe drejtësia nga shteti. Por, punëtorët po përballen me arrogancën e menaxhmentit dhe injorimin e shtetit. Ditëve të fundit madje u është ndaluar hyrja në punë një numri të grevistëve, e veprime të tilla nga ana e menaxhmentit duhet të ndalen sepse punëtorët dhe sindikata kanë të drejtë për t’u organizuar në greva”, ka vleruar LVV.

Në fund, Vetëvendosje vlerëson se kërkesat punëtorëve janë legjitime.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron në solidaritet me punëtorët e organizuar rreth Sindikatës së Pavarur e ANP dhe mbështet veprimet e tyre sindikale. Kërkesat e tyre janë legjitime, ato duhet të realizohen”, ka deklaruar Vetëvendosje.

Ndryshe, punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jahari” kanë nis një grevë me anë të së cilës po kërkojnë të respektohen të drejtat e tyre. Sot, greva do të zgjas 6 orë.

Specialët e Policisë shkojnë në Aeroport shkaku i grevës

www.kallxo.com