VV: Pakot me fletëvotime nga Serbia janë sjellë kundërligjshëm

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me rastin e sotëm në Qendrën e verifikimit të votave ku dyshohet për helmim të zarfeve me vota të ardhura nga jashtë Kosovës.

VV-ja përmes një publikimi në Facebook ka theksuar se helmimi i punonjësve të operacionit të votimit përmes postës ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik.

Ky subjekt politik ka kërkuar që autoritetet të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë “pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë”.

VV më tej ka theksuar se pakot me fletëvotime janë sjellë kundërligjshëm në Kosovë nga zyra ndërlidhëse e Serbisë.

“Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë. Këto fletëvotime të sjellura kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata”, thuhet në reagim.

Vetëvendosje ndër të tjerash ka kërkuar që pakot me fletëvotime të dërguara nga bashkatdhetarët, e të cilat janë verifikuar dhe vlerësuar, të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për t’u numëruar.

KALLXO.com ka raportuar, se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke u marrë me rastin e helmimit të zyrtarëve të angazhuar nga KQZ në procesin e verifikimit të votave të ardhura nga jashtë Kosovës.

Kurse, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se në Klinikën Infektive sot janë lajmëruar 9 pacientë që dyshohet se janë helmuar nga kutitë e votimit që kanë ardhur nga Serbia në Qendrën e verifikimit të votave.

SHSKUK përmes një komunikate për media thekson, se sot në ora,11:58, në Klinikën Infektive, janë lajmëruar 9 pacientë të gjinisë femërore, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intensitetit të ulët.

Sipas tyre, gjendja e pacienteve është stabile.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka marr shumicën e votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.