Foto: Facebook

VV: Në Prizren, Prokuroria u vu në mbrojtje të ndërtimeve të paligjshme

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në lidhje me zhvillimet në Prizren, ku Inspektorati komunal nuk po lejohet të rrënojë një pjesë të kompleksit “Abi Çarshia”, për të cilën pretendohet se është ndërtuar pa leje.

Sipas Vetëvendosjes, në Prizren Prokuroria është vënë në mbrojtje të ndërtimeve të paligjshme dhe të rrahësve të dhunshëm.

Vetëvendosje ka kërkuar sqarim të rastit dhe masa ndaj personave që sipas saj shfaqën dhunë në pengimin e Inspektoratit dhe Policisë.

https://kallxo.com/avokati-i-abi-carshise-inspektorati-i-komunes-po-vepron-qellimshem-dhe-kunderligjshem/

Ky është reagimi i plotë i Vetëvendosjes rreth zhvillimeve në Prizren, komunë që drejtohet nga anëtari i VV-së, Mytaher Haskuka:

“Në Prizren Prokuroria u vu në mbrojtje të ndërtimeve të paligjshme e të rrahësve të dhunshëm

Shantazhet dhe kërcënimet është provuar se mund ta ndalin punën e Inspektoratit të Komunës në ndonjë komunë të vogël të Republikës së Kosovës. E nëpër komunat e mëdha nuk ka pasur nevojë për asnjërën prej tyre sepse harmonia kriminale e pushtetit lokal, qendror dhe nëntokësor, ka qenë aq e fortë sa që i ka sunduar dhe ngufatur qytetarët, pa asnjë pengesë. Por me Lëvizjen VETËVENDOSJE! në pushtet, në Komunën e Prizrenit, kjo harmoni kriminale është prishur. Shantazhi dhe kërcënimet kurrë nuk kanë funksionuar dhe institucionet tjera megjithëse ndonjëherë kanë keqpërdorur funksionin e tyre nuk ja kanë arritur kurrë qëllimit për ta ndalur zbatimin e ligjit.

Në Prizren së fundi, një objekt pa leje është provuar të rrënohet nga inspektorati komunal dhe është penguar dhunshëm nga individë dhe grupe të caktuara interesi që janë të lidhur me objektin. Inspektorët që provuan të intervenojnë, policia që ndërhyri dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! u rrahën nga persona të identifikueshëm prej organeve të rendit. Kjo është e papranueshme, por ka edhe diçka në këtë ngjarje që është e paprecedent: Për ndalimin e punës së inspektoratit komunal do të mund të keqpërdorej gjykata me ndonjë arsyetim që e ndalon rrënimin, por nuk mundet prokurori të lëshojë shkresa që ndalojnë rrënimin e një objekti pa leje.

Prokuroria nuk ka kurrfarë baze ligjore për ta ndaluar rrënimin e një objekti pa leje. Në vend se ky institucion të merrej me ata që prishën rendin dhe qetësinë, që sulmuan fizikisht persona zyrtarë të komunës dhe policisë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, si dhe qytetarë aktivistë që po qëndronin afër – prokuroria morri krahun e atyre që jashtëligjshëm ndërtuan në qytetin e Prizrenit duke e ndalur rrënimin. Kërkojmë sqarim të rastit dhe masa ndaj personave që shfaqën dhunë në pengimin e punës së inspektoratit dhe policisë. VETËVENDOSJE! kurrë nuk është zmbrapsur para dhunës, dhe as para institucioneve të kapura dhe as që e ka ndërmend të zmbrapset.

Vetëvendosje ka kërkuar sqarim të rastit dhe masa ndaj personave që sipas saj shfaqën dhunë në pengimin e inspektoratit dhe Policisë.”

https://kallxo.com/prokuroria-fillon-hetimin-e-zyrtareve-qe-moren-pjese-ne-rrenimin-e-abi-carshise/

https://kallxo.com/gjykata-ndale-rrenimin-e-objektit-pa-leje-te-abi-carshise-vendose-mase-te-perkohshme/