VV në Obiliq kërkon ndalimin e ndërtimit të gurthyesit në Siboc

Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Obiliq përmes një thirrje publike kanë kërkuar ndalimin e punës për gurëthyesin, i cili ka filluar të ndërtohet në fshatin Siboc.

Në letrën e tyre drejtuar kryetarit të komunës, Xhafer Gashit, kryetarit të kuvendit komunal, Burim Gërgurit dhe ministrit në detyrë të ministrisë së Mjedisit, Fatmir Matoshi, thuhet se ky gurthyes ka filluar të ndërtohet pa pëlqimin e banorëve.

Po ashtu ata përmes letrës kanë thënë se ky gurthyes do të rrezikonte edhe më shumë jetën e banorëve të asaj zone, duke e ditur gjendjen ambientale aktuale.

“Duke ditur gjendjen e rëndë ambientale të komunës tonë, u bëjmë thirrje që t‘a ndërprisni këtë projekt i cili do t‘a vështirsonte edhe më shumë jetën e banorëve. Dhënia e pëlqimit për këtë projekt të dëmshëm për Sibocin, Qyqavicën dhe komunën e Kastriotit do të shkaktoj trazira dhe revoltë të qytetarëve tonë”, thuhet në letrën e tyre.

Ata kanë përfunduar letrën duke shprehur mbështetjen për qytetarët e komunës së Obiliqit.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! në Kastriot i’u bënë thirrje që të ndaloni këto përpjekje të shkatërrimit të ambientit dhe në të njejtën kohë i‘u informojmë se ne do të qëndrojm përkrah qytetarëve. MOS E PREK QYQAVICËN”, përfundon letra.

Kujtojmë se lufta kundër gurthyesve po vazhdon nga shumë qytetarë të vendeve të ndryshme të Kosovës.

Së fundmi, Kuvendi i Komunës së Malishevës në mbledhjen e mbajtur me 6 janar ka marrë vendim për pezullimin e të gjitha vendimeve dhe pëlqimeve për operimin kompanive të gurthyesve në territorin e komunës së Malishevës.

Po ashtu, në këtë vendim, Kuvendi Komunal ka kërkuar nga organet përgjegjëse që të marrin masa për revitalizimin e hapësirave të degraduara nga gurthyesit, si dhe në të ardhmen, pëlqimet dhe vendimet në kërkesat e operatorëve për këtë veprimtari t’i lëshojë Kuvendi i Komunës.

Ky vendim i Kuvendit Komunal të Malishevës është marrë pas shqyrtimit të peticioneve të fshatrave Bellanicë, Turjakë dhe Panorc, lidhur me përgatitjet për operim të gurthyesve në afërsi të fshatrave.

Në Kosovë, aktualisht funksionojnë 112 gurthyes me pëlqime mjedisore ndërsa 25 prej tyre kanë lëndë nëpër gjykata.

Sipas një hulumtimi të Preportr, komunat në të cilat janë dhënë më së shumti licenca për gurthyes janë Malisheva (43 licenca), Klina (38 licenca), Kaçaniku dhe Lipjani me nga 35 licenca.

Malisheva ‘godet’ biznesin e vëllezërve të presidentit Thaçi

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.