VV në Gjilan: Kryesueses së Kuvendit Komunal i bëhet dhuratë rruga për te shtëpia e re

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan ka akuzuar komunën se e ka asfaltuar rrugën që shpie te shtëpia e re e kryesueses së Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi-Emini, e cila vjen nga radhët e LDK-së.

Përmes një video të publikuar në Facebook, disa aktivistë të VV-së, thonë se Komuna i ka bërë dhuratë Kurteshi-Eminit asfaltimin e rrugës, pranë shtëpisë së saj.

“Kryesuesja sapo i është bashkuar kësaj lagjeje pasi e ka ndërruar venbanimin dhe ka ndërtuar shtëpinë e saj. Arsyeja pse ne jemi këtu është sepse na la përshtypje dhurata e re që Shpresa e  ka marr nga komuna e që është asfaltimi i kësaj rruge”, thuhet në publikimin e tyre.

Sipas VV-së, pas zgjedhjeve të 6 tetorit, nuk do të ketë  më asfaltim të rrugëve për militantët e partive.

“Neve nuk ka njihen të drejtat tona si qytetarë të Gjilanit, por kryesueses i shtrohet asfalti sepse është e lidhur direkt me pushtetin”, thuhet në video.

Ndërkaq, kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi-Emini në një bisedë për KALLXO.com i ka quajtur politike dhe në kohë fushate zgjedhore akuzat e VV-së.

Ajo ka shtuar se kërkesën për shtrimin e rrugës e kanë bërë rreth një vit më parë, bashkë me banorë të lagjes.

“Rruga është shtruar qysh kanë qenë të planifikuara të gjitha rrugët e  lagjës ‘Kodra e Dëshmorëve’. Lirisht hyn dhe shikoni që janë duke u shtruar të gjitha rrugët tjera. Unë që katër vjet kam filluar ndërtimin e shtëpisë me leje e me të gjitha”, tha ajo.

Sipas kryesueses, mosasfaltimi i rrugës i ka zvarritur edhe ndërrimin e vendbanimit.

“Bile ka 1 vit që pikërisht që nuk u shtrojke rruga nuk kam mundur të dalë në shtëpi të re, për shkak që ka qenë shumë keq, sidomos qasja në rrugën kryesore,  çdo ditë kam qenë e rrezikuar sepse është pak e papërshtashme”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

“Kështu që nuk ka kurgjo të keqe, kam qëlluar në këtë pozitë, por tash s’do të thotë që veç pse jam në këtë pozitë nuk gëzoj kurrfarë të drejte me i përfitu ose me pas të dejtë me i kërku shërbimet e komunës”, është shprehur Kurteshi-Emini.

Ndonëse edhe më parë kanë shfaqur akuza ndërmjet  vete si në nivelin e qeverisjes lokale dhe qëndrore, VV dhe LDK nuk kanë hezituar që të shfaqin dëshirën për të bashkuar forcat, në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit.

Megjithëkëtë, për shkak të mosajtueshmërisë për pozitën  e kryeministrit, këto dy subjekte politike, nuk arritën të nënshkruajnë koalicion parazgjedhor, ndonëse  e kanë lënë si mundësi të hapur bashkëpunimin pas zgjedhjeve.