VV në Gjakovë: Kushdo që ka nevojë për strehim, na kontaktoni

Agon Batusha, asamblist i Vetëvendosjes në Gjakovë ka bërë të ditur se qendra e kësaj partie në Gjakovë ka nisur për Durrës një konvoj me ndihma për të prekurit nga tërmeti tragjik.

Ai ka thënë se e gjithë Lëvizja nga Kosova ka dorëzuar 31 ton ndihma në Durrës mbrëmjen e shkuar.

Batusha ka bërë thirrje se kushdo që ka nevojë për strehim, ta kontaktojnë sepse kanë siguruar vend-strehim dhe ushqim për një numër të konsiderueshëm personash.

“Solidarizimi me fatkeqësinë që preku secilin prej nesh, po shtohet nga minuta në minutë. Të gjithë qytetarët pa dallim subjekti politik e përkatësie fetare po sjellin ndihma në zyrën e Lëvizjes në Gjakovë”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.

“Sot, do të niset konvoji i dytë nga Gjakova me ndihma. Andaj, kushdo që ka mundësi të ndihmojë ejani në zyrën tonë ose na kontaktoni për çfarëdo informate që keni nevojë”, vijon njoftimi.

Ai ka paralajmëruar se Konvoji niset në ora 14:00 dhe se mbledhja e ndihmave po vazhdon dhe do vazhdoj edhe ditët në vijim.

Shqipëria është goditur nga një tërmet i fuqishëm nga i cili deri më tani janë shënuar 32 viktima.