VV-LDK takohen sot në zyret e Kuvendit për koalicionin

Dy partitë, deri dje opozitare tani fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës,do të takohen sot në ora 16:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Ky takim vjen vetëm një ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve që u mbajtën 53 ditë më parë.

Këtë takim për KALLXO.com e ka konfirmuar Arlind Manxhuka nga zyra për medie e Lëvizjes Vetëvendosje.

Partitë do të përfaqësohen edhe nga dy prijësit e tyre, Albin Kurti dhe Isa Mustafa.

“Ne Kuvend takohen, sot ne 16:00 në zyrtare të VV dhe LDK të prirë nga kryetaret e partive”, tha Manxhuka.

Një takim për marrëveshje për bashkëqeverisje ishte paralajmëruar ditë më parë nga kreu i LVV-së, Albin Kurti, pas një takimi në mes tij dhe Isa Mustafës.

““Pra, jemi marrë vesh që të merremi vesh menjëherë pas certifikimit të rezultateve me ç’rast ftesa ime e përgjigja pozitive e kryetarit Mustafa është tashmë e dhënë se një orë pas certifikimit  të rezultateve nga Komisioni Qendror Zgjedhor ne do të takohemi për ta kryer brenda 72 orëve apo më pak se 100 orë marrëveshjen e koalicionit tonë qeverisës”, kishte thënë Kurti para gazetarëve.

Certifikimi i rezultateve nxori si forcën e parë politike Lëvizjen Vetëvendosje me 29 deputetë ndërsa LDK-në si të dytën me 28 deputetë.

Nuk dihet nëse sot do të nënshkruhet një marrëveshje për bashkëqeverisje ndërmjet LVV-së dhe LDK-së.