Foto nga konferenca per media.

VV: Kushtetuta është shkelur nga udhëheqësit e shtetit

Në 11-vjetorin e Kushtetutës së Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje thotë se ajo është privatizuar nga udhëheqësit shtetërorë.

Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu tha se qytetarët qe 11 vite shtypen e diskriminohen nga shteti.

“Askush se ka besuar që 11 vite pas shpalljes së Pavarësisë dhe pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës do të jetë sfidë e madhe të jesh qytetarë i Kosovës. Është sfidë e madhe sepse fatkeqësisht shteti nuk e siguron, barazinë, drejtësinë shoqërore as ndarjen e diskriminimit as punën as pronën publike as arsimin as shëndetin as jetën”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se edhe kur realizohet ajo “është për të fortit e jo më të zotët, edhe më shumë për burrat sesa për gratë”.

Haxhiu përmendi edhe punësimet e fundit të njerëzve të politikës në institucione e ndërmarrje publike.

“Këto ditë si këto 11 vite jemi dëshmitar të pasqyrimit të plotë e të çartë, pasqyrimi i i pushtetit brutal me uzurpimin e institucioneve e ndërrmarrjeve publike me familjarë e persona që janë ekskluzivisht vetëm të pushteti”, tha deputetja e VV-së.

Haxhiu në këtë konferencë sqaroi se hapja e zyrës së re në Tiranë, nuk nënkupton garimin në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri.

“Ne si VV që nga 2006 pas themelimit, kemi pas pafund mijëra aktivitete edhe në Shqipëri, e në Tiranë çfarëdo që ka ndodh në Kosovë kemi bë tubime edhe në Tiranë, tani është një strukturim i asaj që i kemi bërë deri tani kemi mbështetje të madhe dhe është një kërkesë për të regjistruar një qendër të VV-së  dhe nuk ka të bëj me garimin në zgjedhje me sfidu ndonjë parti politike atje”, tha ajo.

Ndërsa, nënkryetari i VV-së, Bislim Bislimi, tha se qeveria e Haradinajt ka shkelur më së shumti Kushtetutën e vendit.

“Që nga viti 2008 realiteti i Kushtetutës dallon si nata me ditën me rendin dhe ligjin, kjo tregohet me qeverinë e Haradinajt qe ka shkel secilin nen të Kushtetutës përmes skandaleve të përditshme. Qeveria ka shkelur Kushtetutën duke uzurpuar institucionet publike me punësim të të afërmeve të tyre bashkë me partnerët e koalicionit PAN”, tha ai.

Njëmbëdhjetë vjet më parë, dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, është miratuar Kushtetuta e Kosovës në Kuvend, e cila hyri në fuqi më 15 qershor të vitit 2008.

Me 14 kapituj dhe 162 nene, Kushtetuta është akti më i lartë juridik në vend që garanton të drejtat themelore të të gjithë qytetarëve. 9 prilli është zyrtarisht është festë shtetërore.