Grafika: Krenar Ferizi

VV kërkon që ekspertiza e Astrit Deharit të publikohet sa më shpejt

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që sa më shpejt t’i dorëzohet familjes së Astrit Deharit, ekspertiza që është kryer në Zvicër e që ka mbërritur në Kosovë.

VV thotë se prej mediave janë informuar për arritjen e  raportit nga Lozana e Zvicrës në Kosovë.

“Edhe pse Prokuroria dhe Ministria e Drejtësisë duhet të kishin njoftuar opinionin publik me kohë për arritjen e këtij raporti, vetëm pas kërkesave të njëpasnjëshme të avokatit mbrojtës e përfaqësuesit ligjor i familjes si dhe kërkesave të familjes Dehari, më në fund sot u deklaruan për pranimin e raportit të lartëcekur”, thuhet në një komunikatë për media.

Ata kanë kërkuar nga Prokuroria që sa më parë t’i përgjigjet kërkesës duke ia dorëzuar Familjes Dehari dhe përfaqësuesit ligjor e avokatit mbrojtës të familjes Dehari, raportin në gjuhën origjinale. Si dhe ta publikojnë atë në versionin orgjinal dhe të përkthyer në gjuhën shqipe.

Sot, Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se një zarf i Institutit Zviceran është pranuar nga ta për rastin e vdekjes së Astrit Deharit në qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016.

Gjatë ditës së djeshme, ministri në detyrë i i Ministrisë së Drejtësisë, Ableard Tahiri ka reaguar për pretendimet e avokatit Tomë Gashi se Ministria që ai drejton e ka pranuar këtë raport.

Pretendimet e avokatit Tomë Gashit se kjo ekspertizë ka ardhur Tahiri i ka quajtur të pavërteta.

“Deklarimet e avokatit Tomë Gashi, të shfaqura në publik, në lidhje me pranimin e Raportit  përfundimtar të ekspertizës për rastin e Astrit Deharit, nga Ministria e Drejtësisë, janë pretendime të pavërteta, tendencioze dhe absolutisht jo profesionale. Për hir të informimit të drejtë të opinionit, dëshiroj të ju njoftoj se asnjë dokument me çfarëdo përmbajtje që lidhet me rastin Dehari nuk ka arritur në adresë të Ministrisë së Drejtësisë”, thuhej në reagimin e Tahirit.

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016 me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Instituti i Mjekësisë Ligjore vdekjen e Deharit e konsideroi vetëvrasje, ndërsa disa ekspertë të pavarur të ngarkuar nga familja këtë vdekje e cilësuan vrasje.

Familja Dehari kishte kërkuar ekspertizë lidhur me vdekjen e tij nga instituti zviceran.