VV kërkon kthimin e procesit për noterët e rinj në pikën 'zero'

Ish- kryesuesja e Komisionit për Legjislacion në legjislaturën e gjatë të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se procesi i noterëve të rinj duhet të kthehet në pikën zero.

“Unë besoj që LVV duhet ta ketë qëndrimin e njëjtë dhe do ta mbaj qëndrimin e njëjtë, pra procesi i noterisë duhet të kthehet në pikën zero, pikërisht për faktin se ka pasur ndryshime të mëdha për një proces të komprementuar. Prandaj qëndrimi i VV-së duhet të jetë i njëjti, sikurse e kemi pasur edhe në të kaluarën dhe sikurse e kemi edhe sot”, ka thënë Albulena Haxhiu në një bisedë për KALLXO.com.

Sot gjatë ditës ndaj procesit të noterisë ka reaguar edhe zyra e BE-së në Kosovë.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve në largim të Kosovës që të përmbahen nga emërimet e ndonjë noteri pasi besojmë fuqimisht se vendimi në këtë drejtim duhet t’i lihet qeverisë së re”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga Zyra e Bashkimit Evropian.

Por, ndryshe nga zyra e BE-së në Kosovë është deklaruar ministri në detyrë i Drejtësisë, Ablerd Tahiri.

Ai ka përsëritur edhe njëherë se, procesi i noterisë është legjitim dhe duhet të ndodhë.

“Ky postulat i domosdoshëm, nuk është subjekt i ujdive politike të askujt dhe të asgjëje. Nuk ka asnjë garanci, as nevojë dhe as arsye që një proces i tillë i nisur dhe realizuar në mënyrë legjitime, të lihet anash e të mos marrë epilog, së paku për ato raste që janë emergjente. Për njohuri të opinionit publik, dëshiroj të sqaroj se ky proces do të marrë epilog legjitim në harmoni të plotë me ligjin dhe në partneritet të plotë me Oden e Noterëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.

Por, me këto qëndrime të ministrit në detyrë që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, nuk është pajtuar ish- deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albluena Haxhiu.

“Së pari, Vetëvendosje gjithmonë e ka kundërshtuar procesin për rekrutimin e noterëve të rinj, jo pse kemi konsideruar se Kosova nuk ka nevojë për noterë të rinj, mirëpo ky proces ka qenë komplet i konprometun dhe në shërbim të interesave të ngushta të ministrit, Abelard Tahiri. Edhe gjatë kohës sa ka qenë funksional Kuvendi i Kosovës, ne e kemi thirr në raportim në komisionin të cilin e kam drejtuar unë, i kemi  i kemi drejtuar edhe në Agjencinë Kundër Korrupsion për konflikt interesi, mirëpo këtu nuk ka qenë çështja vetëm të konflikti i interesit, që unë edhe ost insistoi që ka pasur konflikt interesi, por edhe për shkak të dyshimeve të mëdha lidhur me këtë proces në kuptimin e atyre që janë dëgjuar në opinionin publik”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

“Nëse e shohim listën e atyre që kanë arritur ta kalojnë provimin, shohim njerëz të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës, familjar të anëtarëve të komisionit, dhe natyrisht kjo pastaj ka nxitë dyshime të mëdha për mënyrën sesi ka shkuar”, ka deklaruar tutje anëtarja e kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu.

Ajo tha se rekomandimet nga OJQ-të dhe zyra e BE-së në Kosovë duhet të merren parasysh nga ministri në detyrë i Drejtësisë.

“Unë vlerësoj angazhimin e OJQ-ve në këtë drejtim të cilat kanë kërkuar që ky proces të kthehet në pikën zero. Vlerësoj jashtëzakonisht shumë qëndrimin e Zyrës së BE-së në Kosovë. Për mua qëndrimet së fundit të ministrit Tahiri janë të papranueshme, sepse kur ka reagime të tilla natyrisht se duhet të rivlerësohet procesi dhe të kthehet në pikën zero. Nuk mundemi që për interesa private të Abelard Tahirit ta dëmtojmë një proces ose vetë noterinë e Kosovës, prandaj ne kemi thënë edhe si Lëvizje Vetëvendosje se ky proces duhet të kthehet në pikën zero”, tha ajo.

E në rast se Lëvizja Vetëvendosje udhëheq me ministrinë e Drejtësisë, Haxhiu ka thënë se do ta kthejnë në pikën zero këtë proces.

“Besoj që, për brenda ministrisë së Drejtësisë, drejtuesit e VV-së, kushdo cofshin ata, do të kenë mundësinë që për së afërmi të marrin informata për këtë proces, sepse kur je brenda ke argumente edhe më të shumta për ta kthyer këtë proces në pikën zero dhe ne në bashkëpunim me institucionet tjera do të bëjmë të pamundëson që ta kthejmë besimin e qytetarëve në shërbimin e noterisë”, ka deklaruar ajo.

Lidhur me procesin e emërimit të noterëve ka pasur shumë reagime në publik lidhur me dyshimet se pati konflikt interesi gjatë procesit të përzgjedhjes së noterëve.

Madje ky proces u hetua edhe nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Pas hetimit, AKK ka dalur me një opinion se gjatë procesit të emërimit të noterëve është evituar konflikti i interesit.