VV ia jep Thaçit emrin për Kryeministër 'ditëve në vijim' (VIDEO)

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie  Nagavci pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie tha se janë amrrë vesh që ditët në vijim t’i dërgojnë shkresë zyrtare presidentit Hashim Thaçi me emrin e mandatarit për kryeminstër.

“Morëm vendim që në bazë të Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetutës, Lëvizja vetëvendosje në ditët në vijim do t’i dërgojë shkresë formale Presidentit me emrin e personit që e mandaton për Kryeministrit. Po ashtu presim që në bazë të letrës sonë, presidenti ta dekretojë të propozuarin tonë dhe letrën formale ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës”, tha deputetja e VV-së.

Ajo foli edhe për rifillimin e bisedimeve me LDK-në, për formimin e qeverisë.

“Ndërkohë kanë rifilluar bisedimet me LDK dhe ne presim ta finalizojmë marrëveshjen prandaj emrin do ta dërgojmë në ditët në vijim letrën formale te Presidenti në ditët në vijim.Presim të dimë cila është konkretisht kërkesa e LDK-së, diskutimet do të vazhdojnë, Kryesia e VV-së i ka dhënë mandat të plotë grupit punues që të vazhdojë angazhime të kemi sa më parë një marrëveshje”, është shprehur Nagavci.

“Presim dhe besojmë që edhe LDK, në bazë të deklarimeve që i kanë bërë, të jenë të përkushtuar dhe të kemi një marrëveshje sa më parë”, shtoi ajo.

Duke iu përgjigjur pyetjes së KALLXO.com nëse do të ketë ndryshime në emrat me kandidatët për pozitat udhëheqëse që kryetari i VV-së, Albin Kurti i bëri publik ditë më parë, Nagavci tha se për këtë mund të flasin pjesëtarët e Grupit Punues.

“Takimi do të vazhdojë sot. Ofertën z. Kurti e ka bërë, ne presim që LDK t’i propozojë 6 emrat, ajo është oferta që ne e kemi bërë dhe nuk ka ndonjë përgjigje për këtë”, tha deputetja e VV-së.

Ndonëse kanë kaluar më shumë  se 3 muaj që nga zgjedhjet nacionale, VV dhe LDK ende nuk kanë arritur marrëveshje për koalicion.

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës me 26 dhjetor, këto dy parti nuk patën takime, ndërkaq ato i kanë rifilluar këtë javë.