VV i gëzohet vendimit të Supremes për votat e Diasporës

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur pro ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa rreth numërimit të votave të Diasporës.

Pas Vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje duke kërkuar që të fillojë sa më shpejtë shqyrtimi dhe numërimi i këtyre fletëvotimeve, në mënyrë që sipas tyre edhe vullneti i votuesve nga mërgata të përfshihet në rezultatin përfundimtar.

“Mijëra dërgesa me fletëvotime të bashkatdhetarëve të nisura brenda afatit dhe para datës së zgjedhjeve, e të cilat padrejtësisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i kishte shqyrtuar dhe numëruar, me vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme ato do të numërohen dhe do të bëhen pjesë e rezultatit të zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e VV-së.

“E drejta e votës si e drejtë kushtetuese, është e garantuar dhe nuk mund të mohohet me justifikime teknike që bien ndeshë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës. Andaj, Gjykata Supreme shmangi një padrejtësi të madhe, e konfirmoi një të drejtë kushtetuese të mijëra votuesve nga mërgata”, thuhet tutje në reagim.

Njoftimin për vendimin e Gjykatës Supreme e ka bërë Adnan Rrustemi, anëtar i LVV-së në Komisionin Qendror Zgjedhor.

“Gjykata Supreme miraton ankesën e Lëvizjes për numërimin e votave të mërgatës. Mijëra fletëvotime të bashkatdhetarëve të mbajtura të bllokuara do të numërohen”, ka shkruar Rrustemi në “Facebook”.