VV i drejtohet sërish Supremes për votat e Diasporës

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas vendimit të sotëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili refuzoi ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e rreth 5 mijë votave të Diasporës.

VV ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin për mos numërim në Gjykatën Supreme të Kosovës.

“Do ta apelojmë në Gjykatë Supreme vendimin për mosnumërimin e vota të bashkatdhetarëve. Sot pranuam nga Paneli zgjedhor për ankesa dhe parashtresa vendimin e marrë nga gjyqtarët Fejzullah Rexhepi Kryesues, Nenad Llazic, Afjete Sada – Gllogjani, Kymete Kimete, Zyhdi Haziri, Rrustem Thaqi, Ferki Xhaferi, Faton Ademi dhe Adnan Konushevci, anëtarë, ku refuzohet si i pabazuar apeli i paraqitur nga Lëvizja VETËVENDOSJE! për numërimin e zarfeve me fletëvotime nga bashkatdhetarët tanë”, thuhet në njoftimin e partisë e cila doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

“Ndonëse Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës i kërkonte PZAP ta merrte parasysh këtë të drejtë, sërish sot ky panel në mënyrë artificiale dhe në interpretim të ngushtë ia mohoi të drejtën për numërimin e votës qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit”, thuhet tutje në reagimin e LVV-së.

Tutje, në reagim thuhet se VV do ta dërgoj përsëri në Supreme apelin ndaj këtij vendimi të sotëm të PZAP-së ndërsa, deklaruan se e drejta për votë nuk mund të cenohet ndaj bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë Kosovës.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta dërgojë në Gjykatën Supreme apelin sërish, duke pritur që kjo çështje të zgjidhet e të numëron këto fletëvotime. Bashkatdhetarët tanë nuk ia kanë borxh askujt këtë cenim të së drejtës së tyre bazike që buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe të drejtat ndërkombëtare në këtë sferë”, thuhet në fund të reagimit.

Sot gjatë ditës PZAP mori vendim për mos numërimin e rreth 5 mijë votave të ardhura nga Diaspora.

Supremja kërkon të numërohen votat e Diasporës

www.kallxo.com