Albulena Haxhiu, deputete nga radhët e Vetëvendosjes

VV e pakënaqur me datën e seancës për shpërndarjen e Kuvendit

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim që më 22 gusht të mbahet seanca për shpërndarjen e Kuvendit.

Por, sipas deputetes së Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, kjo datë është shumë e largët për shpërbërjen e kuvendit, duke treguar dy arsyet që sipas saj tregojnë se 22 gushti nuk është data adekuate.

“Caktimi i seancës për shpërbërjen e Kuvendit me datë 22 duket shumë i largët për dy arsye të paktën. Së pari për shkak të nevojave që ka vendi për shkuarjen sa më parë në zgjedhje dhe së dyti për shkak mundësisë që subjektet tjera të futen në pazare për qeveri teknike ose mandatar të ri pa zgjedhje”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka shtuar se në mbledhjen e kryesisë e cila u mbajt sot, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar një datë tjetër për mbajtjen e seancës për shpërbërjen e Kuvendit.

“Propozimi jonë në mbledhje të Kryesisë ishte që seanca për shpërbërjen e Kuvendit të mbahet me datë 8 ose 14 gusht”, ka shkruar Haxhiu.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës mori sot vendim që më 22 gusht të mbahet seanca për shpërndarjen e Kuvendit.

Avdullah Hoti, Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së tha se për këtë datë pati pajtim nga gjithë kryesia.

Ai tha se janë dakorduar që para shpërndarjes të miratohen marrëveshjet fondet e IPA-së, 100 milion euro.

Memli Krasniqi nga PDK thasë besojnë që pas shpërndarjes së Kuvendit, Presidenti do të caktojë menjëherë datën e zgjedhjeve.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, përmes një shkrese zyrtare dërguar bartësit të koalicionit fitues të zgjedhjeve të fundit, Kadri Veselit, i kishte kërkuar edhe zyrtarisht koalicionit PAN që të propozojnë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë letër të presidentit Thaçi drejtuar Veselit thuhet se si koalicion fitues që kanë fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë, kanë të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Veseli në përgjigjen drejtuar Thaçit ka thënë që nuk do të ketë mandatarë të tjerë por do të ketë zgjedhje.

Qeveria ka rënë pasi kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e tij më 19 korrik për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale.