VV e dërgon në Kushtetuese Thaçin për votën e Haxhi Shalës për qeverinë Hoti

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dorezuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesen për vlerësimin e veprimeve të Presidentit Hashim Thaçi ne rastin e nxitjes se deputetit Haxh Shala për votimin e qeverisë Hoti.

“Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e veprimeve antikushtetuese të Presidentit në rastin e nxitjes, bindjes dhe detyrimit të deputetit Haxhi Shala për të ndryshuar qëndrimin për votën ndaj Qeverisë edhe ashtu jolegjitime”, thuhet ne njoftim.

Vetëvendosje vlerëson se jashtë autorizimeve e në cenim të rëndë të vlerave, parimeve kushtetuese e demokratike, të ndarjes së pushteteve e ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit, Presidenti ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës.

“Ai në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndikuar që deputeti Shala të ndërroi qëndrimin dhe votën në seancën e jashtëzakonshme plenare të Kuvendit të Republikës të datës 3 qershor”, thuhet në njoftim.

Vetëvendosje shtoi se qeveria Hoti si një Qeveri pa legjitimitet dhe e paligjshme, të vetmen mbështetje e kishte tek aranzhimet jokushtetuese në të gjitha fazat e saj.

“Tablonë e plotë të veprimeve antikushtetues të kësaj skeme e përmbushi rasti i ndërhyrjes dhe ndikimit mbi deputetin Haxhi Shala, duke i shkuar në shtëpi pasmesnatës. Këtë fakt, e shpalosi edhe publikisht deputeti i shënjestruar, por u konfirmua edhe nga vetë Thaçi e Haradinaj”, thuhet tutje.

“Është e tepërt të thuhet më, se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk i lejon Presidentit rol aktiv në skenën politike, sepse kjo çfarë ka bërë Thaçi nuk është vetëm angazhim aktiv politik, por edhe ndërhyrje e rëndë në rendin tonë kushtetues, por as si e tillë nuk është e para”, përfundon njoftimi.