Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

VV: Do fillojmë me veting në Këshillin Prokurorial dhe Gjyqësor

Kandidati për deputet nga Vetëvendosje, Adnan Rrustemi tha se do të fillojnë me veting në Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial të Kosovës brenda mandatit të parë.

“Vetingun do ta fillojmë pas zgjedhjes së Qeverisë, pas procedimit në Kuvendin e Kosovës dhe pas miratimit të tij”, tha Rrustemi në DebatPernime me Jeta Xharrën.

Rrustemi tha se vetingun e kanë prioritet dhe do ta përfundojnë brenda mandatit katërvjeçar.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Selim Selimi nga AAK, Shkëmb Manaj e Valdet Hoxha nga LDK dhe Adnan Rrustemi e Doarsa Kica nga LVV, të cilët do të flasin për ‘Sundimin e ligjit’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.