VV beson në pafajësi të drejtuesve të UÇK-së, shprehet kundër "pazareve" për Presidentin e ri

Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar pas aktakuzave të konfirmuar ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli nga ana e Dhomave të Specializuara në Hagë.

LVV përmes një komunikate për media ka deklaruar se akuzat lidhur me luftën e UÇK-së, mbetet gjithnjë forcë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare, duke shpresuar që ata të kthehen të pafajshëm.

Partia që udhëhiqet nga Albin Kurti e ka vlerësuar si të duhur dorëheqjen e Thaçit nga posti i Presidentit, por duke e quajtur të vonuar. LVV ka shkruar se Kosova sot nuk është në gjendje ta mbrojë UÇK-në me institucionet e saj, për shkak se “keqqeverisja në dekadat e pasluftës ka rezultuar në institucione të brishta të drejtësisë”.

“E vlerësojmë gjestin e dorëheqjes prej presidencës të Hashim Thaçit si të duhur, por të vonuar. Do të ishte mirë të vepronte qysh kur erdhi lajmi për akuzat, e jo të linte vend për të menduar se në prapaskenë po negocion për të shpëtuar veten prej atyre akuzave. Dhjetë vitet e fundit janë dëshmi se si kushdo që ka pretenduar ta mbrojë UÇK-në përmes pazareve të fshehta, ka dështuar, dhe vetëm sa e ka rritur dëmin. Vetë Gjykata Speciale është padrejtësi e prodhuar prej tyre, përderisa ne si Lëvizje, bashkë me shumë veteranë e qytetarë, protestuam kundër saj”, thuhet në postimin e publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Lëvizja Vetëvendosje më tej ka përsëritur mbajten e zgjedhjeve të reja, duke shtuar Presidenti i ri nuk mund të dalë “prej pazareve në Kuvendin e vjetër e të deformuar”. Por deri të zgjedhjet, ata thojnë se Vjosa Osmani si ud. e presidentes, do të kontribuojë për mirë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

“Tash Kosovës i duhen zgjedhje të reja e të lira, prej të cilave do të dalë një qeveri e cila gëzon mbështetje dhe legjitimitet prej shumicës së qytetarëve, qeveri që ia kthen besueshmërinë vendore e ndërkombëtare Kosovës. Presidenti i ri nuk mund të dalë prej pazareve në Kuvendin e vjetër e të deformuar, por do të dalë me integritet e besueshmëri, nga Kuvendi i ri, pas zgjedhjeve të reja. E deri atëherë, në një tranzicion të shkurtër e transparent drejt zgjedhjeve të reja, znj. Vjosa Osmani si ud. e presidentes, do të kontribuojë për mirë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Vetëm një qeveri e pakorruptuar, e zgjedhur demokratikisht e jo produkt i pazareve, do të mund ta përparojë Kosovën e ta mbrojë UÇK-në dhe ta vlerësojë ashtu siç e meriton. Të gjithë duhet të bëhemi bashkë në respektim të ligjit, vullnetit të qytetarëve e demokracisë, e jo për t’iu mbivendosur asaj”, përfundon komunikata e LVV-së.