Ilustrim

Vushtrriasi shiste miell ilegal nga Serbia me çmime shumëfish më të larta, arrestohet

Inspektoriati i Komunës së Vushtrrisë ka njoftuar se gjatë ditës së sotme pas raportimeve nga qytetarët ka ndaluar një shitës në fshatin Pestovë.

I njëjti ishte duke shitur 100 kilogram miell për 80 euro.

“Inspektorati i Komunës së Vushtrrisë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Stacioni në Vushtrri, pas raportimeve të një qytetari, sot kanë ndaluar një tregtar të pandërgjegjshëm në fshatin Pestovë, i cili në momentin e inspektimit po shiste 100 kg miell 80€”, thuhet në njoftim.

Avni Zahiti zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës konfirmoi se personi i dyshuar është arrestuar dhe pas intervistimit është lëshuar në procedurë të rregullt.

Rrahim Ajeti, drejtor i Inspektoratit të Vushtrrisë, tha për KALLXO.com se përveç çmimit si shkelje, mielli ishte edhe nga Serbia.

“Shitësi ka qenë duke kryer veprimtari ilegale dhe mielli ka qenë nga Serbia për këtë arsye ne së bashku me Policinë e Kosovës, kemi ndërmarrë masa”, tha Ajeti.

Që nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në vend shumë qytetarë kanë denoncuar bizneset për rritjen e çmimeve.

Disa ditë me parë në Komunën e Skenderajt, Inspektoriati kishte dënuar me 500 euro gjobë një barnatore për çmimin e lartë të barnave.