Vushtrria pa staf zëvendësues për mësueset dhe edukatoret shtatzëna

21 mësimdhënëse shtatzëna në Komunën e Vushtrrisë janë duke vazhduar punën nëpër shkolla dhe në çerdhen publike, përkundër vendimit të Qeverisë së Kosovës në kuadër të masave kundër COVID-19, që e liron këtë kategori nga prania fizike në punë.

Vendimi i Qeverisë

Nga Drejtoria e Arsimit në Vushtrri kanë thënë për KALLXO.com se aktualisht kanë zëvendësuar vetëm mësimdhënëset lehona, ndërsa lirimin e mësimdhënëseve shtatzëna nuk kanë mundur ta bëjnë për shkak të mungesës së buxhetit.

Enver Bajrami zyrtar në DKA-në e Vushtrrisë, ka thënë për KALLXO.com se kanë dërguar listën për nevojën e zëvendësimeve të mësimdhënëseve në Ministrinë e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, pasi nuk kanë pas një zgjidhje tjetër për këtë problematikë.

“DKA ka buxhet vetëm për mësimdhënëset që shkojnë në pushim te lehonisë. MASHTI ka kërkuar listë dhe ne i kemi dërguar, po të njëjtën listë që po ju dërgojmë edhe juve”, ka thënë Bajrami.

Ai ka nënvizuar se vijimi i punës nga këto gra, nuk ofron garancionin e zhvillimit kualitativ të punës.

“Sepse gjendja e mësimdhënësve shtatzëna si dhe situata pandemike e pamundësojnë të zhvillohet mësimdhënie cilësore”, thotë Bajrami.

Të dhënat e dërguara nga Drejtoria e Arsimit në Vushtrri për KALLXO.com për numrin e grave shtatzëna në nivelet shkollore në Vushtrri.

Ministrja Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ditë më parë ka njoftuar se studentët e Fakultetit të Edukimit do t’i zëvendësojnë mësimdhënëset shtatzëna në Kosovë. 

“Në zbatim të vendimit të Qeverisë që gratë shtatzëna të lirohen nga puna me prezencë fizike, studentë të nivelit master dhe absolventë do të angazhohen në Arsimin Parauniversitar në mbështetje të rreth 400 mësimdhënëseve shtatzëna, numër ky i raportuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit”, ka shkruar Nagavci në llogarinë e saj në rrjetin social facebook.

Ndërkaq, në një përgjigje për KALLXO.com MASHTI thotë se komunat duhet të kontaktojnë vet Fakultetin e Edukimit apo të menaxhojnë ndonjë mungesë eventuale të stafit.

“Në raste të tilla siç e keni cekur ju, komunat duhet të kontaktojnë Fakultetin e Edukimit i cili i ka caktuar studentët në këtë proces. Por, edhe komunat duhet të shohin të menaxhojnë ndonjë mungesë eventuale të stafit, aty ku nuk ka mundësi të mbulohet me studentë nga Fakulteti i Edukimit”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-it.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 18 prill 2021, ka liruar nga procesi mësimor (me prezencë fizike në shkollë) mësimdhënëset shtatzëna, por detyrat e tyre kanë qenë të obliguara t’i realizojnë online nga shtëpia. Meqë e kemi thënë se vendimi nuk është obligativ, një numër i madh i mësimdhënëseve shtatzëna janë duke e vazhduar punën sepse nuk kanë dashur të kenë shkëputje nga mësimi me prezencë fizike”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-it.

Ministrja Nagavci ka thënë se ky angazhim studentëve do t’u njihet si praktikë profesionale.

“Ky angazhim, studentëve do t’u njihet si praktikë profesionale dhe njëkohësisht puna e tyre do të realizohet në koordinim me mësimdhënëset përkatëse (shtatzënë) që eventualisht do të shfrytëzojnë të drejtën e lirimit nga prezenca e tyre fizike në shkollë”, ka theksuar ajo.