Vushtrri

Vushtrria nis kryerjen e testeve serologjike për COVID-19

Komuna e Vushtrrisë nga sot do të filloj kryerjen e testeve serologjike për COVID-19 për qytetarët e saj.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka thënë se testet do të shërbejnë për të hulumtuar shkallën e përhapjes së pandemisë.

Tutje, Tahiri përmes një postimi ka theksuar se të parët për t`u testuar janë “punëtorët shëndetësor, pastaj punëtorët e arsimit, Policia e Kosovës në Vushtrri dhe punëtorët e administratës”. Ndërsa qytetarët e tjerë testin do ta kryejnë me udhëzim të mjekut familjar.

“Testimi i qytetarëve do të bëhet vetëm me udhëzim të mjekut familjar, testimi është falas, testohen ata qytetarë të cilët nuk kanë shenja klinike (qytetarët me shenja klinike testimin për Covid e kryejnë në IKSHPK), pra nuk ka nevojë që qytetarët të shkojnë në laborator por fillimisht konsultohen me mjekun familjar i cili pastaj jep udhëzimin për testim”, sqaron kryetari i Vushtrrisë.