Vushtrria në hall me reduktimet e ujit

Komuna e Vushtrrisë ka akuzuar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” për reduktime të ujit në kohë pandemie.

Drejtoria e Shërbimeve Publike ka thënë se KRU “ Mitrovica” nuk ka paraqitur asnjë njoftim për arsyet e reduktimit.

“Komuna e Vushtrrisë, Drejtoria e Shërbimeve Publike nuk ka pranuar asnjëherë njoftim për arsyet e reduktimeve të ujit e aq më pak orar të reduktimeve”, thuhet në reagim.

Kjo Komunë i ka konsideruara të pavërteta pretendimet e KRU “Mitrovica” për keqpërdorim të ujit në Vushtrri.

“Arsyetimi që ka shpenzime të tepërta e keqpërdorime të ujit nuk qëndron sepse që nga fillimi i vitit 2020, nuk ka asnje fletë paraqitje për keqpërodrim të ujit nga KRU Mitrovica /Njësia në Vushtrri në inspektoratin e Komunës. Për më tepër qe 2 muaj bizneset e Vushtrrisë kanë qenë të mbyllura”, vazhdon tutje njoftimi.

“Komuna e Vushtrrisë kërkon nga KRU Mitrovica të merren masa menjëherë, ndryshe do të shqyrtohet ngrirja e bashkëpunimit dhe inicimi i procedurave ligjore ndaj përgjegjësve të Njësisë së KRU Mitrovica në Vushtrri”, përfundon njoftimi i Komunës së Vushtrrisë.