Spitali i Vushtrrisë

Vushtrria ndër komunat më të prekura me COVID-19, Spitali nuk ka Infektivë as infektolog

Komuna e Vushtrrisë është ndër komunat me më së shumti persona të infektuar nga pandemia e coronavirusit nuk ka infektolog për të trajtuar këto raste.

Infektologu trajton sëmundjet ngjitëse përfshirë edhe sëmundjen e COVID-19.

Si pasojë e kësaj mungese, pacientët duhet të transferohen në Klinikën Infektive në Prishtinë, duke e mbingarkuar edhe më shumë trajtimin e rasteve në këtë klinikë.

Drejtori i Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri Mursel Pllana, tha për KALLXO.com se mungesa e stafit shëndetësor ka qenë e theksuar edhe gjatë kohës sa nuk kishte pandemi.

Përveç mungesës së infektologut, Pllana thotë se kanë mungesë edhe të repartit Infektiv.

Në repartin e Internos ai thotë se punojnë tetë specialistë me dhjetë shtretër.

“Në spitalin e Vushtrrisë nuk kemi infektolog. Kur nuk ke një staf profesional për shembull një infektolog atëherë nuk dimë se si të trajtojmë COVID-in. Duhet me pasë të paktën një personel apo menaxher që na mëson, mandej një protokol. Neve këto gjëra na mungojnë. Përveç kësaj, nuk kemi repart të Infektivës këtu vetëm një repart të Internës e kemi me tetë specialistë dhe me dhjetë shtretër”, shprehet ai.

Pllana thotë se Spitalit të Vushtrrisë i është rënduar edhe infrastruktura pasi në të janë vetëm një palë shkallë për gjithë repartin.

Ndërsa, 64 shtretër janë për shfrytëzim, dhe në rast se detyrohen t’i përdorin për pacientët me coronavirus nuk do të mund të gjejnë vend për pacientët me sëmundje tjera.

“Edhe infrastruktura e spitalit është e rëndë, një palë shkallë funksionojnë në krejt repartin. Nëse vjen puna që këto 64 shtretër me i shfrytëzu për pacientët me COVID-19 atëherë duhet të mendojmë që asnjë shërbim të natyrës tjetër ne nuk mundemi me dhënë”, tregon tutje drejtori.

Pllana tutje thotë se Drejtoria e Shëndetësisë dhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, duhet të mendojnë për një organizim për trajtimin e pacientëve, gjithashtu duhet përcaktuar një ekip profesional në mënyrë që Spitali të mbetet vetëm për pacientët me sëmundje tjera.

“Drejtorati i Shëndetësisë dhe kryetari mirë është më mendu, e kanë sallën e sportit, nuk e di pse nuk po e bëjnë një organizim aty dhe me rregullu infrastrukturën dhe me i përcaktu ekipet në mënyrë që spitalin me lënë edhe për sëmundje të tjera”, shprehet tutje drejtori.

Në këtë spital për momentin është vetëm një person i cili po dyshohet së është i infektuar me pandeminë COVID-19.

Drejtori thotë se, sipas rekomandimeve të IKShPK-së, pacientët me gjendje më të rëndë janë transferuar në Prishtinë.

“Pacientët të cilët janë me parametra të rëndë po i dërgojmë në Prishtinë, ashtu i kemi pasë reskomandimet prej shtabit të COVID-it. Në spital për momentin e kemi vetëm personin e intubuar i cili po dyshohet për COVID-19. Të tjerët në konsultim me Institutin e Shërbimit Publik në Mitrovicë ju kemi shkruar terapi dhe i kemi përcjellë për në shtëpi nuk kanë pas simptoma të rënda për me hospitalizu”, tregon tutje Pllana.

Në këtë spital për momentin janë tre respiratorë, njëri prej tyre është duke u shfrytëzuar nga njëri pacient.

“I kemi tre respiratorë. Një (pacient) e kemi të intubuar sot iu ka marrë testi për COVID-19 dhe dy të tjera i kemi për raste të tjera”, potencoi drejtori.

Infeksioni COVID-19 ka prekur edhe një  pjesë të stafit në këtë spital.

Dy mjekë janë në vetizolim dhe pesë të tjerë janë shëruar.

“Për momentin dy janë në vetizolim, pesë e kanë kaluar infeksionin dhe e kanë filluar punën”, tregoi drejtori.

Në këtë komunë vetëm mbrëmë kanë rezultuar pozitiv nëntë persona.

Ndërsa, aktiv me coronavirus janë 94 persona, 274 janë shëruar ndërsa gjashtë kanë vdekur.

Në nivel vendi janë 3,508 persona të infektuar nga kjo pandemi, 1,902 janë shëruar dhe 76 kanë vdekur.