Ilustrim

Vushtrria ndanë rreth 11 mijë euro për ta dekoruar qytetin në kohë pandemie

Komuna e Vushtrrisë ka ndarë rreth 11 mijë euro për t’i shpenzuar për dekorimin e qytetit për festat e fundi vitit.

Mirëpo, situata me pandeminë COVID-19 në Kosovë po vazhdon të keqësohet çdo ditë e më shumë dhe ekspertët shëndetësorë, por edhe institucionet shtetërore po vazhdojnë të kërkojnë nga qytetarët të shmangin grumbullimet. Krejt kjo për të parandaluar mundësinë e përhapjes së virusit COVID-19.

Por të gjithë këto masa të ndërmarra, e pavarësisht numrit të madh të personave të infektuar, Komunat e Kosovës kanë filluar procedurat e tenderimit për të stolisur sheshet e qyteteve për festat e fund-vitit.

Zakonshëm, stolisjet e shesheve qendrore të qytetit kanë nxjerrë me qindra e mijëra njerëz në rrugë, të cilët i kanë shfrytëzuar dritat dhe dekorimet për fotografi e për shëtitje.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me kryetarin e Komunës, Xhafer Tahiri, se si do ta menaxhojnë mos grumbullimin e njerëzve në sheshin kryesor. Deri më tani, kryetari Tahiri nuk ka kthyer përgjigje.

Në këtë aktivitet, Komuna e Vushtrrisë ka kërkuar të furnizohet me 2 mijë e 500 drita dekoruese me ngjyre të verdhë, të cilat do të mbështillen përreth degëve të pemëve në sheshin e qytetit.

Poashtu, nga Komuna është kërkuar edhe furnizimi i një bredhi artificial i gjatë 10 metra dhe me diametër 3.5 metra.

Janë kërkuar 100 topa dekorues që do të vendosen në bredhin artificial. Poashtu janë kërkuar edhe 100 shirita dekorues për punimin e fjongove deri në 2 metra me ngjyrë të kuqe dhe ari.

Javë më parë KALLXO.com raportoi se si Komuna e Ferizajt dhe ajo e Suharekës kishin hapur tenderë për dekorimin e qytetit.

Komunat nisin procedurat për të stolisur sheshet në kohë pandemie