Vushtrria mbyll sheshet

Në sheshet kryesore të Vushtrrisë “Adem Jashari” dhe “Hasan Prishtina” gjatë ditës se sotme janë vendosur shirita ndalues nga Policia e Kosovës.

Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë në rajonin e Mitrovicës, ka thënë për KALLXO.com se kjo është masë me qëllim ndalimin e grumbullimit të njerëzve.

“Referuar vendimeve dhe rekomandimeve te institucioneve shtetërore ndaj pandemisë COVID-19, Policia e Kosovës ka vënë shirita sigurues në sheshe, me qëllim të zbatimit të vendimeve mbi ndalimin e grumbullimit dhe shfrytëzimit të shesheve për shetitje, kjo pasi të njëjtat janë keqpërdorur nga qytetarët por jo edhe për raste pune”, ka thënë Zahiti.

Shumë qytete të Kosovës sot kanë filluar mbylljen e shesheve me qëllim ndalimin e lëvizjeve të qytetarëve.

Deri më tani në Kosovë 140 persona kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, 23 janë shëruar ndërsa 3 kanë vdekur.