Vushtrria mbetet pa traditën e çajit pas Iftarit

Muaji i Ramazanit i ka gjetur të kthyera përmbys karriget e çajtoreve në Komunën e Vushtrrisë.

Ky qytet i vjetër i cili njihet për numrin e madh të çajtoreve dhe traditën e çajit, si asnjëherë më parë i ka të mbyllura për shkak të pandemisë së coronavirusit.

Vedat Grabanica, pronar i njërës nga çajtoret në Vushtrri, tha për KALLXO.com se gjatë muajit të Ramazanit, pas iftarit, çajtoret kanë qenë të mbushura plot me njerëz.

Ai tregoi se çajin e kanë shoqëruar edhe me lojën “me gurë”.

“Në Ramazan pas iftarit përveç çajit që ne Vushtrria njihemi me të, e kemi traditë edhe lojën me gurë deri në orët e vona”, tha ai.

Grabanica tregon për traditën shumëvjeçare të konsumimit të çajit në Vushtrri dhe mënyrës së funksionimit të çajtores së tij.

“Çajtoren e kemi që 15 vite dhe deri në kohën e pandemisë ka funksionuar mesatarisht mirë. Qysh para shumë viteve prindërit e mi e kanë përdorur çajin shumë, në mëngjes mas pari çajin. Në çajtore vijnë të të gjitha moshave, pa dallim. Konsumatorët tanë mezi po presin që të hapet”, shtoi Grabanica.

Ndërkaq, Fehmi Rashica, pronar i “ Çaj-Kafe Rashica” tha për KALLXO.com se qyteti i Vushtrrisë, gjithmonë e ka konsumuar çajin ndërsa gjatë muajit të Ramazanit, frekuentimi ka qenë akoma më i madh.

“Gjithmonë e kemi pi çajin shumë, kafet në Vushtrri kanë qenë plot e kanë pas punë. Vjet në Ramazan plot i kemi pas”, tha Rashica.

Që të dy pronarët e çajtoreve rrëfyen për KALLXO.com se janë duke u përballur me humbje gjatë kësaj kohe dhe se shpresojnë që pandemia të kalojë për të rifilluar punën.