Vushtrria i bie pishman, anulohet vendimi për anulimin e konkurseve për drejtorë të shkollave

Gati tre muaj nga anulimi i konkurseve për zgjedhjen e drejtorëve të pesë shkollave në Komunën e Vushtrrisë dhe dyshimeve për punën e Komisionit, Komuna e Vushtrrisë ka vendosur që të anulojë njoftimin për anulimin e konkurseve dhe të vazhdojë me përzgjedhjen e drejtorëve.

Në vendimin e Komunës së Vushtrrisë nuk jepet ndonjë arsyetim për anulimin e vendimit për anulimin e konkurseve.

Sipas vendimit, DKA obligohet të njoftojë kandidatët të cilët kanë aplikuar në këtë pozitë. Vendimi është nënshkruar nga drejtoresha e Arsimit, Miradije Maloku, ndërsa vendimi për anulimin e konkursit për drejtor të shkollave kishte qenë i nënshkruar nga kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtoreshën e Arsimit, Miradije Maloku por e njëjta nuk pranoi të përgjigjet në lidhje me vendimin e fundit.

Komuna e Vushtrrisë
Vendimi DKA

 

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në adresë të kryetarit dhe nënkryetarit të Komunës së Vushtrrisë por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Anulimi i konkursit për drejtor të shkollave në Vushtrri kishte përplasur partinë në pushtet, PDK-në me Lëvizjen Vetëvendosje në këtë qytet.

LVV për anulimin e konkursit për drejtor të pesë shkollave në Vushtrri ka bërë kallëzim penal ndaj kryetarit Ferit Idrizi.

Idrizi në një përgjigje për KALLXO.com kishte arsyetuar vendimin për anulimin e konkursit duke akuzuar Komisionin përzgjedhës se kishte vlerësuar njëanshëm gjatë procesit.

“Mirë është që e kanë bo, bash po më vjen mirë me e pa qytetarët edhe mediat edhe prokuroria kush po lufton parregullsitë edhe nepotizmin edhe familjarizimin. Njëri nga kandidatët që nuk është përzgjedh e ka ushtru atë detyrë për më shumë se 10 vite dhe e ka pas përformancën e mirë ndërkaq e kanë përzgjedh kandidaten tjetër që është edhe gruja e mikut tim. Tash, unë me pas zgjedh grujen e mikut, po e largon një kandidat që për 10 vite ka qenë, mendoj që nuk është e ndershme. Kandidati tjetër, Afrim Namani që ka qenë drejtor i DKA-së dhe ka pas një përformancës nuk po zgjidhet, e po zgjidhet një kandidat tjetër nuk është në rregull. Është ndërru pushteti tash, nuk janë këto gjëra. Kandidati tjetër në shkollën, ‘Anton Zako Çajupi’ që është përzgjedh nga komisioni është kryetar i sindikatës, ai është dashtë me pezullu vendin e punës në sindikatë. Kur i kam marrë parasysh të gjitha këto e kam pa që ka pas subjektivizëm dhe është marrë vendim që me anulu atë konkurs”, tha ai për KALLXO.com

Dyshimet në punën e Komisionit, Komuna e Vushtrrisë anulon konkursin për drejtorë të shkollave