Vushtrri, vëllezërit kërkojnë motrën e zhdukur para nëntë muajsh

Familja Zeka nga Mitrovica nuk po e di se çfarë ka ndodhur me vajzën e tyre që nga marsi i këtij viti.

Mirjeta Zeka ishte përshëndetur me familjen e saj më 31 mars të këtij viti derisa kishte plane të nisej për Gjermani.

Vëllai i Mirjetës, Rexhep Zeka ka rrëfyer për KALLXO.com kontaktet e fundit me motrën para zhdukjes.

“Për herë të fundit e kam parë më 31 mars kur jemi përshëndet sepse të nesërmen ajo ka pas mu kthy për Gjermani ku ka jetuar me burrin e saj, po kërkojmë nga Policia e Prokuroria që të dimë sa më shpejt çka ka ndodh me të”, tha Rexhep Zeka vëllai i Mirjetës.

Pasi që familja nuk kishte pasur kontakt me të e kishte lajmëruar policinë.

“E kemi lajmëruar menjëherë policinë në Mitrovicë dhe Vushtrri pasi që ajo ka qenë e martuar në fshatin Sfaraqak i Vushtrrisë”, thekson vëllai Rexhep Zeka nga Mitrovica.

Policia në Mitrovicë vetëm ka konfirmuar se rasti është hapur për gjetjen e Mirjetës  mirëpo nuk ka dhënë me shumë informata për shkak të hetimit.

Prokuroria e Mitrovicës po ashtu ka thënë  se rasti është duke u hetuar.

“Mund të konfirmojmë se Prokuroria e Mitrovicës është duke punuar në zbardhje e këtij rasti dhe nuk mundemi të japim ma shumë detaje për shkak se rasti ende është në fazën e hetimit”, thuhet ne përgjigjen e prokurorisë  për KALLXO.com.