Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

Vushtrri, vëllai akuzohet se ngacmoi seksualisht motrën, dënohet me gjashtë muaj burg

Një person në Vushtrri është dënuar nga Gjykata e Mitrovicës me gjashtë muaj burg nën akuzat se ka ngacmuar seksualisht motrën e tij.

Sipas vendimit, ngjarja ka ndodhur më 11 dhjetor 2022 derisa e viktima kishte shkuar për një vizitë tek familja e saj në Vushtrri.

Në vendim thuhet se i pandehuri B. F., kishte shkuar në dhomë të ndejës (sallon), e kishte prekur organin e tij gjenital dhe i kishte kërkuar motrës të kryenin marrëdhënie seksuale.

“Më datë 11.12.2022, rreth orës 12:30, i pandehuri me dashje e ngacmon seksualisht të dëmtuarën – motrën e tij M. F. ashtu që, derisa e dëmtuara kishte shkuar në vizitë tek familja e saj, derisa kishte qenë duke qëndruar në dhomë të ndejës me nënën e saj, i pandehuri kishte shkuar në dhomë të ndejës (sallon), e kishte prekur organin e tij gjenital, dhe i kishte thënë të dëmtuarës “hajde deri në banjo veç ni turr kurgjo nuk është po du me të q…””- thuhet në vendimin e Gjykatës të datës 30 dhjetor 2022.

Për këtë, të njëjtit, Gjykata i ka shqiptuar dënim burgu në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, ndërsa thuhet se në dënim do t`i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Lidhur me rastin, Gjykata ka marrë vendim sipas të cilit detyrohet qendra e paraburgimit, gjegjësisht qendra korrektuese, që të pandehurit t`i mundësoj trajtimin me anë të rehabilitimit të detyrueshëm të personave të varur nga droga ose alkooli deri në përfundim të dënimit me burgim.

Në arsyetim thuhet se, eksperti i forenzikës psikiatrike, ka thënë se i pandehuri është përdorues shumë vjeçar i substancave psiko-aktive, konkretisht mariuhanës.

“Sa i përket gjendjes së tij mendore posaçërisht në kohën e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet, eksperti konstaton se i pandehuri, bazuar edhe në vlerësimet e bëra nga kolegët e mëparshëm, është përdorues shumë vjeçar i substancave psiko-aktive, konkretisht ë mariuhanës, prandaj edhe si pasojë e përdorimit të këtyre substancave te i njëjti është konstatuar çrregullim mendor dhe çrregullim i sjelljes si pasojë e përdorimit të subtancave psikoaktive e që kodohet me shifrën F12.0.”- thuhet në vendim.

Po ashtu, sipas arsyetimit të Gjykatës, i pandehuri në seancë të shqyrtimit gjyqësor ka deklaruar se e pranon fajësinë në tërësi sipas aktakuzës.

“Ka shtuar se pas konsultimeve të mjaftueshme me mbrojtësin e tij e pranon fajësinë sipas aktakuzës dhe se i vije keq për atë se çfarë ka ndodhur, është i penduar për atë se çfarë ka ndodhur dhe ndjenë keqardhje”- thuhet tutje në vendimin e Gjykatës së Mitrovicës.