Ilustrim - Policia në aksion

Vushtrri, vdes një person pasi dyshohet se u plagos me armë zjarri

Një person ka vdekur në fshatin Stanovc i Epërm të komunës së Vushtrrisë, pasi dyshohet se aksidentalisht është vetplagosur me armë zjarri.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit.

“Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia e hetimeve dhe krim-teknika rajonale, viktima është dërguar për trajtim në QKUK-Prishtinë, ku rreth orës 04:24 është pranuar informata se viktima në fjalë ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në vendin e ngjarjes policia si prova materiale ka konfiskuar armën e gjuetisë, për të cilën viktima kishte leje, 7 fishekë dhe një gëzhojë.

“Në lidhje me rastin ёshtё njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhrin e tij rasti ёshtё hapur dhe është duke u hetuar si “Vdekje e dyshimtë’’, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore-Prishtinë, për obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.