Vushtrri, Urgjenca Mjekësore pa rrymë, pacientët trajtohen nën dritat e autoambulancës

Pacientët që i janë drejtuar Urgjencës Mjekësore në Vushtrri mbrëmë nuk kanë mundur të gjejnë zgjidhje për hallin e tyre.

Kjo për shkak se në Urgjencën Mjekësore nuk ka pasur rrymë.

Qytetarët janë ankuar se Urgjenca nuk ka pasur rrymë për dy orë dhe se gjatë kësaj kohe nuk është ndezur as gjeneratori, pasi që, siç u kanë thënë – gjeneratori nuk punon.

Qytetarët kanë raportuar se pacientëve gjatë kësaj kohe u janë dhënë infuzione nën dritat e autoambulancës.

Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Vushtrrisë, Nexhmedin Rashica.

Rashica e ka pranuar se gjeneratori i Urgjencës Mjekësore është në defekt dhe ka treguar se janë iniciuar procedura për servisimin e tij pasi kontrata e mëhershme ka përfunduar.

“I dini procedurat e prokurimit që marrin kohë. E kemi njoftuar drejtorin e prokurimit lidhur me këtë problem. Kërkesën për servisim e kemi dërguar edhe para këtyre problemeve me ndërprerje të shpeshtë të rrymës. Pritet që së shpejti të shpallet tenderi, sepse është tenderim i përgjithshëm, për servisim të të gjithë gjeneratorëve. Kemi bërë  kërkesë me shkrim edhe në KEDS, në Qendër në Mitrovicë për mundësi të kyqjes në rrjetin e kategorisë A” – ka theksuar drejtori Rashica.

Sa i përket ankesës së qytetarëve se për të bërë dritë po përdoren dritat e autoambulancës, drejtori Rashica tha se Urgjenca ka dritë të mjaftueshme me bateri brenda objektit të Urgjencës.

Këto janë pamjet e dërguara në adresë të KALLXO.com nga qytetarët: