Pamje nga Vushtrria

Vushtrri, tri raste pozitive me COVID-19, dy prej tyre punëtorë shëndetësorë

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka dhënë detaje për rastet pozitive me COVID-19 në këtë komunë.

Tahiri ka shkruar në ‘Facebook’ se tre persona kanë rezultuar pozitivë me coronavirus, ndërsa dy prej tyre janë punëtorë shëndetësorë.

“Sot janë bërë 40 testime nga kontaktet e rasteve të Studimes ku kane rezultuar 3 raste pozitive me Covid 19. Fatkeqësisht kemi një punëtor shëndetësor të Kujdesit Parësor dhe 1 punëtor shëndetësor të Spitalit “Sheikh Zayed” të qytetit. Rasti i tretë është rast kontakti po ashtu”, ka shkruar Tahiri.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se po vazhdohet me gjurmim dhe testim të kontakteve, duke thënë se situata është nën kontroll dhe nuk ka vend për panikë.

“Ju lutem rrini në shtëpi, mbajeni distancën dhe mos vizitoni institucionet komunale dhe ato shëndetësore pa pasur urgjencë mjekësore.Ne duhet të përshtatim sjelljen dhe kulturën e sjelljes me virusin, duke mbajtur distancën dhe duke mbajtur maska”, ka shkruar në fund Tahiri.