Vushtrri, të akuzuarit pranojnë fajin  për grabitjen në “Monego“

Albion Sokoli dhe Qlirim Begu kanë pranuar fajin për një grabitjen në bankën “ Monego”, më 16 maj të këtij viti.

Sipas aktakuzës, Sokoli dhe Begu  kishin hyrë në lokalin e lartcekur në Vushtrri, ku i pandehuri Qlirim Begu ka pasur me vete pistoletën së bashku me fishekë të cilën e ka mbajtur në dorë  dhe ia ka drejtuar punëtoreve Besa Maxhuni dhe Mirsade Xhema.

Të pandehurit ju ishin drejtuar të lartcekurave “ paret, paret “ pastaj nga dy arkat kanë marrë paratë të gatshme, gjithsej 1,821.31 euro dhe menjëherë kanë dalë nga lokali dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

I pandehuri Qlirim Begu po ashtu nga prokuroria akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Sot para Gjykatës së Mitrovicës të pandehurit e pranuan fajësinë për këto akuza.

Madje Begu dhe Sokoli kanë shprehur keqardhje për atë se çka kishte ndodhur dhe ndërsa iu kanë kërkuar falje punëtoreve, për siç kanë thënë ata shqetësimin që iu kishin bërë atë ditë.

Pranimi i fajësisë u përkrah edhe nga prokurori i rastit Ismet Ujkani dhe mbrojtësit e të pandehurve Shkelqesa Musa dhe Bedri Miftari.

Pastaj me aktvendimit trupi gjykues me kryetar gjyqtarin Radoslav Markoviq ka aprovuar pranimin e fajësisë nga të pandehurit.

Ndërsa me rastin e dhënies së fjalës përfundimtare prokurori Ujkani ka thënë se mbetej në tërësi pranë aktakuzës, kurse i ka propozuar gjykatës që të pandehurit t’i shpall fajtor për veprat penale dhe t’i gjykojë me dënim sipas ligjit.

Kurse avokatja Shkelqesa Musa e cila e mbron të pandehurin Albion Sokoli dhe avokati Bedri Miftari që e mbron Qlirim Begun i kanë propozuar gjykatës që me rastin e përcaktimin për shqiptimin e llojit dhe lartësisë së dënimit gjykata të marrë parasysh një mori rrethanash lehtësuese të cilat ekzistojnë në anën e të pandehurve, e posaçërisht pranimin e fajësisë që nga fillimi i procedurës penale duke i ndihmuar edhe organeve të ndjekjes në zbardhjen sa më të drejtë dhe të lehtë të këtij rasti.

Me këtë edhe ka përfunduar procedura gjyqësore për gjykimin e Sokolit dhe Begut, ndërsa lidhur me vendimin ndaj tyre, gjykata e Mitrovicës pritet të vendosë sot pasdite.