Vushtrri, ilustrim

Vushtrri – Policia ndërhyn për t`i larguar qytetarët që nuk respektojnë orën policore

Policia e Kosovës ka ndërhyrë për t`i shpërndarë qytetarët në qytetin e Vushtrrisë, të cilët edhe pas orës 21:00 kanë vazhduar të mos e respektojnë orën policore.

Në video dhe fotografi që kanë ardhur në adresë të KALLXO.com shihet Policia e Kosovës duke i larguar qytetarët të cilët nuk kanë respektuar orarin e kufizimit të lëvizjes, i caktuar me vendim të qeverisë si masë për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Kujtojë se qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga dita e djeshme e hënë, 06 korrik 2020, që në katër komuna: Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Vushtrri, komuna këto që aktualisht kanë numrin më të madh të të infektuarve me coronavirus që të kufizojë lirinë e lëvizjes nga ora 21:00 në mbrëmje deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Aktualisht në komunën e Vushtrrisë janë 90 raste aktive të prekur me COVID-19, përderisa në nivel vendi numri i të infektuarve ka arritur në 3707.