Ilustrim

Vushtrri, një grua raporton se u sulmua nga bashkëshorti dhe vjehrri i saj

Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Sipas njoftimit, lidhur me këto raste Policia ka arrestuar disa persona të dyshuar.

Një grua në Vushtrri dje më 29.07.2024 ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar nga dy të dyshuarit meshkuj kosovarë bashkëshorti dhe vjehrri i saj.

Sipas Policisë, e njëjta ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa dy të dyshuarit janë arrestuar.

“Me vendim të prokurorit është bërë bastisja në shtëpinë e të dyshuarve ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 11 fishekë”- thuhet në njoftim.

Ndërsa është bërë e ditur se pas intervistimit me vendim të prokurorit njëri nga të dyshuarit lirohet në procedurë të rregullt, kurse tjetri dërgohet në mbajtje.

Në Prishtinë një burrë është arrestuar nën dyshimet se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Policia ka njoftuar se e njëjta ka pranuar tretman mjekësor.

Ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Po ashtu, në Prishtinë një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga djali i saj.

I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në Ferizaj, një grua ka pranuar tretman mjekësor pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

“Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit,  i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”- thuhet në njoftim.

Në Malishevë, një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj i cili vuan nga sëmundja mendore i kishte shkaktuar dhunë.

“Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”- thuhet në njoftim.

Ndërsa në Gjakovë dje më 29.07.2024 është arrestuar një burrë nën dyshimet se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht të dashurën e tij.

“Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”- thuhet në njoftim.

Kurse në Malishevë një burrë është arrestuar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe vajzën e tij.

Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje thuhet në njoftim.