Vushtrri - Komuna ndau 200 mijë euro për luftimin e pandemisë

I pari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka njoftuar se kanë ndarë edhe 200 mijë euro nga buxheti komunal për qëllim luftimin e pandemisë COVID-19.

Tahiri ka thënë se ky vendim është miratuar në mbledhjen e jashtëzakonshme të kuvendit komunal, e cila është mbajtur në gjimnazin “Eqrem Çabej” në këtë komunë për arsye të ruajtjes së distancës në mes asamblistëve.

“Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, miratua propozim vendimi që të ndahen 200 mijë euro për përballimin e situatës emergjente si rezultat e pandemisë Coronavirus”, ka thënë ai.

Komuna e Vushtrrisë ditë më parë kishte ndarë edhe 50 mijë euro tjera si dhe janë porositur 2 mijë maska dhe materiale të tjera mjekësore me të cilat do të pajisen stafi mjekësor i Qendrës së Mjekësisë   Familjare.

Deri më tani 6 persona kanë dalur pozitiv me COVID-19, në Komunën e Vushtrrisë, përkatësisht në fshatin Studime e Ulët.