Foto-ilustrim

Vushtrri, dy të vdekur në aksident trafiku

Dy persona kanë mbetur të vdekur në atë që Policia e Kosovës po e cilëson si vetaksident.

Aksidenti tragjik ka ndodhur të mërkurën rreth orës 22:00 në rrugën tranistore Smrekonicë-Gojbulë, përkatësisht në afërsi të fshatit Gojbulë të Vushtrrisë.

“Sipas informatave të para, njëri nga personat ka humbur jetën në vendin e ngjarjes ndërsa personi tjetër është transportuar në spitalin e Vushtrrisë, mirëpo si pasojë e lëndimeve të pësuara ka humbur jetën dhe është konfirmuar vdekja e tij nga ana e personelit mjekësor” – ka njoftuar Policia.

Sipas Policisë, mosha e viktimave është mes 19 dhe 17-vjeçare.

Njësitet kompetente të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë ekzaminimet e nevojshme për të kuptuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.