Vushtrri, dhjetëra familje janë evakuuar nga reshjet e fundit

Mbrëmjen e kaluar Komuna e Vushtrrisë ishte ndër më të prekurat nga reshjet e shiut.

Në fshatin Dumnicë të kësaj komune u përdorën edhe litarë për të nxjerrë banorët nga uji.

Bajrush Kosumi nga drejtoria e mbrojtjes dhe shpëtmit në Komunën e Vushtrrisë për KALLXO.com ka thënë se moti i dy ditëve të fundit ka vërshuar disa fshatra ku si pasojë dhjetra familje janë evakuuar tek të afërmit e tyre.

“Parmbrëmë me 17.08.2020 dhe mbrëmë me 18.08.2020 Komunën e Vushtrrisë e ka goditur një mot i ligë me shi dhe shtrëngata ku për pasojë ka ardhur deri te vërshimi i disa fshatrave.

Më të goditura kanë qenë fshatrat Dumnicë e Epërme, Dumnicë e Poshtme , Dumnicë e Mesme ,Stanoc i epërm , Lummadhe, Maxhunaj, Samadrexhë si dhe lokalitete tjera.

Ekipet emergjente kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë operacionet e duhura për mbrojtje dhe shpëtim. Dhjetra familje janë evakuar përkohësisht te të afërmit e tyre në afërsi të shtëpive,” ka thënë Kosumi.

Lidhur me vlerën e dëmeve Kosumi tha se Komisioni për vlerësim janë ende në teren duke evidentuar dëmet materiale të cilat sipas tij vlerësohet të janë të larta.

Xhafer Tahiri kërkon ndihmë nga qeveria pas vërshimeve në fshatrat e Vushtrrisë