Vullnetarët e karantinës në Qendrën e Studentëve dëshmojnë në komisionin hetimor parlamentar

Në Komisionin Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë COVID-19 të hënën janë intervistuar vullnetarët në lidhje me menaxhimin e pandemisë dhe ditën e vdekjes së të riut nga Gjilani, Agon Musliu, në maj të këtij viti, një ditë pasi u kthye nga Gjermania.

Sipas vullnetares, Enkela Koci, në ditën kritike askush nuk ka shkuar për vizitë te dhoma e Agon Musliut, pasi që, sipas saj, kanë qenë duke u marrë me një rast urgjent.

“Në orën 12:00 askush nuk ka shkuar në dhomën e Agonit, por as te ndonjë tjetër”, tregoi Koci.

Vullnetarja, Laureta Tafaj tha se ai ka treguar që ka pasur probleme me veshkë para se te shkojë në Gjermani.

“Më kujtohet që është pyet dhe ka thënë jo. Vetëm se para se të shkojë në Gjermani ka thënë ka pasë problem me veshkë, por ka thënë se tash është mirë”, tha Tafaj.

Tutje ajo tha se Musliu i ka pranuar dhe nënshkruar kushtet e karantinimit para se te hyjë në karantinë.

Ndërsa, Edita Sadriu tha se atë ditë viktima nuk kishte pasur ndonjë shqetësim.

“Ne i kemi pasur të ndara konviktet. Atë ditë kemi pasur fluturime të reja. Atë ditë unë kam hyrë brenda në konvikt. Agoni atë ditë nuk ka shprehur ndonjë shqetësim. Te personi që ka kërkuar asistencë kam ndejtë që mos ta lë vet derisa ka ardhur ekipi mjekësor. Por, te Agoni nuk kam qenë”, tha Sadriu.

26 vjeçari nga Gjilani, Agon Musliu, vdiq në muajin maj pasi dyshohet se ra nga një lartësi prej katit të pestë të konviktit numër 7 në Qendrën e Studentëve, e cila me vendim të Qeverisë po përdorej si karantinë për personat e ardhur nga vendet e jashtme.