Ilustrim

Vullkani dhe cunami pamundësojnë komunikimet në Tonga

Ishujt në Tonga kanë pësuar dëme të mëdha pas shpërthimit të madh të vullkanit dhe cunamit, që kanë shkatërruar një fshat të tërë dhe shumë ndërtesa, tha një diplomat i këtij shteti, duke rritur shqetësimet se mund të rritet numri i viktimave dhe i të lënduarve.

“Njerëzit i ka kapur paniku, po vrapojnë dhe po lëndohen. Ka gjasa që të rritet numri i viktimave, por lutem që kjo mos të ndodh”, tha zëvendësdrejtori i misionit të Tongas në Australi, Curtis Tu’ihalangingie.

Ai shtoi se imazhet e bëra nga Forca e Mbrojtjes së Zelandës së Re, tregojnë se një fshat në ishullin Mango është shkatërruar i tëri, ndërkaq disa ndërtesa janë zhdukur në afërsi të ishullit Atata.

Policia në Tonga i tha Komisionit të Lartë të Zelandës së Re se deri më tani janë dy viktima të konfirmuara, por komunikimet në këtë ishull në Oqeanin Paqësor janë ndërprerë, kështu që është e paqartë se cili është numri i saktë i viktimave.

Në mesin e viktimave është edhe britanikja, Angela Glover, 50 vjeç, që besohet se vdiq nga cunami, teksa ajo kishte tentuar që të shpëtonte qentë për të cilat përkujdesej, tha vëllai i saj.

Vullkani nënujor shpërtheu të shtunën, duke liruar hi vullkanik dhe më pas shkaktoi cunami.

Tonga përbëhet nga mbi 170 ishuj në zonë e Paqësorit Jugor. Mbi 100,000 persona jetojnë në Tonga dhe pjesa më e madhe e popullsisë jeton në ishullin Tongatapu.

Kombet e Bashkuara më herët raportuan se një alarm ishte lëshuar në Ha’apai, ku gjendet ishulli Mango. Autoritetet detare të Tongas raportuan se kjo zonë është goditur nga valë 5 deri në 10 metra të larta.

Ishujt Atata dhe Mango janë rreth 70 kilometra nga vullkani Hunga Tonga-Hunga Ha’apai, që shpërtheu më 15 janar. Cunami që pasoi shpërthimin e vullkanit u detektuan rreth 2,300 larg, deri në Zelandën e Re.

Për shkak të hirit të madh vullkanik që është mbi pistën e aeroporti kryesor, janë penguar përpjekjet për dërgimin e ndihmës në Tonga.

Autoritetet e Zelandës së Re po tentojnë që të dërgojnë ujë të pijshëm dhe ndihma të tjera përmes ajrit, por avionët nuk po munden që të aterojnë në aeroportin kryesor të vendit, Fua’amotu.

Zyra humanitare në OKB tha se zyrtarët në Tonga kanë njoftuar se pastrimi i pistës do të marrë kohë disa ditë.

Qytetarët në ishullin Tongatapu janë evakuuar për shkak të “dëmit të madh” raportuan autoritet, ndërkaq ministrat qeveritarë kanë paralajmëruar se çmimet e produkteve ushqimore mund të rriten për shkak të furnizimeve të pakta.

Ministria e Jashtme e Zelandës së Re tha se dy anije janë nisur drejt Tongas për të dërguar ujë të pijshëm, ekipe të shpëtimit dhe një helikopter.

Tonga pritet që të bëjë kërkesë zyrtare për ndihmë nga Australia, njoftoi ministrja e Jashtme australiane, Marise Payne. Më pas ky shtet mund të dërgojë ndihmë përmes aeroplanëve apo anijeve.

“Ndikimi jo vetëm i përmbytjeve, por edhe i hirit vullkanik që ka mbuluar gjithçka, plus ndërprerja e komunikimeve, po i bën përpjekjet (për ndihmë) edhe më të vështira”, tha ajo.

Komunikimi me botën i këtij arkipelagu është pothuajse i ndërprerë tërësisht, pasi shpërthimi i vullkanit shkatërroi kabllot e komunikimit, që gjendeshin nën det.

Kompania private me seli në Shtetet e Bashkuara, Subcom, tha se po punon që të rregullojë një sërë kabllosh nën det në paqësor dhe tha se po punon me autoritetet në Tonga që të rregullohet një kabllo që kalon nga ky shtet në Fixhi.

Ishulli Hunga Tonga-Hunga Ha’apai gjetet në zonën mjaft aktive sizmike të njohur si “Unaza e Zjarrit e Paqësorit”. Pas shpërthimit të vullkanit, sipas imazheve satelitore, ky ishull është zhdukur. Kjo ua ka bërë më të vështirë vullkanologëve që të monitorojë aktivitetin sizmik.

Tonga është një mbretëri që ka 176 ishuj, ku 36 prej tyre janë të banuara dhe popullsia e këtij shteti është 104,494./REL