Vulin reagon pas kërkesave që Kosova të anëtarësohet në NATO

Ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Aleksandar Vulin gjatë ditës së sotme është deklaruar se ngjarjet të cilat po ndodhin në Ukrainë siç ka potencuar ai në Evropën Lindore po përdoren nga shqiptarët për të dëmtuar Serbinë.

Vulin thotë se Kosova nuk mund të anëtarësohet në NATO, ndërsa numëroi disa nga mangësitë siç pretendon ai.

Vulin po pretendon se Serbisë i është rrëmbyer një pjesë e territorit, e cila po tenton të bëhet anëtare e NATO-s, duke iu referuar Kosovës.

“Kur po thonë se në Ukrainë është shkelur e drejta ndërkombëtare, ata kërkojnë që pjesa e rrëmbyer e territorit serb kundër vullnetit të Serbisë të bëhet anëtare e paktit të NATO-s”, ka thënë Vulin, deklarata e të cilit është publikuar në faqen zyrtare të MUP.

Vulin shton tutje edhe se nëse Kosova bëhet anëtare e NATO-s, shkelet Rezoluta 1244.

“Nëse Kosova mund të bëhet anëtare e paktit të NATO-s, përkundër Rezolutës 1244 dhe përkundër Kartës së NATO-s, ligji ndërkombëtar ka vdekur, ndaj thoni kështu, se ne e dimë se jetojmë në një botë të forcës dhe banditëve dhe asgjë tjetër”, shton tutje Vulin.

Ministri serb përmendi edhe se në çdo rast kur ka ndonjë “histeri anti- ruse” do të ketë edhe “histeri anti- serbe”, duke cituar një historian.

“Dhe serbët gjithmonë akuzohen për atë që nuk janë fajtorë dhe duhet të paguajnë faturat e të tjerëve dhe konfliktet e fuqive të mëdha. Dhe prandaj sa herë që shoh histeri anti-ruse, e di se do të fillojë histeria anti-serbe. Konflikti në Evropën Lindore ka filluar. Kush do ta ketë fajin në Ballkan? Epo, serbët. Për çfarë? Sepse ato ekzistojnë?”, shton tutje ai.

Vulini pati disa fjalë edhe për ushtrinë e Kosovës.

“Duhet kohë, as zyrtarisht nuk ka ushtri, por nëse do ta ketë, duhet kohë. Një ushtri nuk mund të blihet, përndryshe Arabia Saudite do të kishte ushtrinë më të fuqishme në botë. Duhet kohë për të vendosur diçka. Pse atëherë insistojnë kaq shumë që shqiptarët të hyjnë në NATO? A është kjo e rëndësishme për paktin e NATO-s?”, shton tutje Vulin.

Sipas Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandër Vulin, nëse Kosova anëtarësohet në NATO është kërcënim i drejtëpërdrejt për Serbinë.

“Territori i Kosovës është i rrethuar nga shtetet e NATO-s. Jo, ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë për Serbinë me një konflikt të armatosur. Sepse nëse fut shqiptarët në paktin e NATO-s, së pari shkel jo vetëm Rezolutën 1244, por edhe ligjin ndërkombëtar dhe në pjesën tjetër shkel Kartën e NATO-s”, vazhdon deklarimi i tij.

Për shkak të luftës në Ukrainë pas sulmeve të Rusisë, është kërkuar që Kosova bëhet pjesë e Aleancës Veri-Atlantike (NATO).

Kongresisti amerikan Torres: Anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk ka qenë kurrë më urgjent