Aleksandar Vulin - Foto: REL

Vulin i përgjigjet Klitschos për deklaratën për Kosovën

Gjatë qëndrimit në Davos të Zvicrës, ku po mbahet Forumi Ekonomik Botëror, kryetari i Kievit, Vitaly Klitschko, në një intervistë me një media shqiptare në Zvicër, raportohet se kishte thënë se ukrainasit do të çlirohen nga rusët, ashtu siç u çliruan shqiptarët në Kosovë nga Serbia.

Kësaj deklarate i ka reaguar ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, raporton media serbe B92.

“Nëse Klitschko do të dinte diçka për historinë, do ta dinte se Kosova është pjesë e Serbisë”, tha ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin.

Ai ka vazhduar duke thënë se krahasimin e Kosovës me Donbasin duhet ta çojë deri në fund.

“Nëse Klitschko pretendon se shqiptarët janë pushtuar dhe se ata e kanë hequr qafe Serbinë dhe okupatorin serb me rebelim të armatosur, atëherë rusët në Donbas janë po ashtu të pushtuar dhe kanë atë që Klitschko u njeh shqiptarëve në Serbi, do të duhet t’ua njohë edhe rusëve në Ukrainë. Ata që betohen për parimin e paprekshmërisë së integritetit territorial duhet të dëshmojnë bindjen e tyre fillimisht në Serbi. Është për të ardhur keq që të tjerët nuk munden thonë të njëjtën gjë për veten e tyre”, tha ministri Vulin.