Stacioni i trenave në Vuhan të Kinës, 8 prill, 2020.

Vuhani, pas gati 11 javësh, del nga izolimi

Pas 76 ditësh, qyteti Vuhan i Kinës, ku janë shfaqur rastet e para me koronavirus në fund të vitit të kaluar, ka dalë nga izolimi.

Izolimi i Vuhanit, i paparë deri më tash, është bërë model për vendet që po përpiqen të frenojnë përhapjen e koronavirusit.

Njëmbëdhjetë milionë banorët e tij tani mund ta lënë qytetin pa leje të veçantë, me kusht që një aplikacion në telefonat e tyre mobilë tregon se ata janë të shëndetshëm dhe se nuk kanë qenë në kontakt me dikë që është konfirmuar se ka koronavirus.

Sipas raportimeve të mediave lokale, vetëm disa orë pas daljes nga izolimi, rreth 65,000 njerëz kanë dalë nga qyteti me trena ose avionë.

Kufizimet në Vuhan – qytetin ku është regjistruar numri më i madh i të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi në Kinë – kanë nisur të hiqen gradualisht ditëve të fundit, pasi numri i rasteve ka nisur të bie.

Qeveria kineze tha se të martën në Vuhan nuk ka regjistruar asnjë rast të ri me koronavirus.

Gjatë 76 ditëve në izolim, banorët e Vuhanit kanë mundur të dalin nga shtëpitë vetëm për të blerë ushqime ose për punë që konsiderohen të domosdoshme.

Disave u është lejuar të dalin nga qyteti, por vetëm me dëshmi se nuk paraqesin rrezik shëndetësor dhe me dëshmi që tregojnë se ku dhe pse shkojnë./REL