Vuçiq vet i katërti në takimin e Uashingtonit

Delegacioni i Serbisë në takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë do të jetë dyfish më i vogël në numër se ai i Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas gazetës beogradase “Danas”, ka zgjedhur edhe tre persona tjerë që do të jenë në takimin e Uashingtonit.

Në këtë takim, Beogradin do ta përfaqësojnë, përveç Vuçiqit, edhe drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, ministri i Financave, Sinisa Mali dhe, siç kanë transpetuar mediat lokale, pjesë e këtij takimi  do të duhej të jetë edhe kryetari i Odës së Tregtisë së Serbisë, Marko Cadez.

“Danas” raporton se në këtë takim pritet të arrihet edhe një marrëveshje në lidhje me temat ekonomike.

Delegacioni i Kosovës tashmë ka shkuar në Uashington dhe do të jetë në numër më të madh se ai i Serbisë.

Megjithatë, “Danas” raporton se Vuçiq, në deklaratat e tij të fundit ka thënë se Beogradi do të jetë “i përgatitur dhjetë herë më mirë se Prishtina” dhe se do të jetë i përgatitur për të gjitha opsionet.

“Çkado që të flitet dhe mendohet, ne do të jemi të përgatitur për të gjitha opsionet. E dijmë çdo fshat dhe çdo marrëveshje, për dallim nga ata që vijnë e që nuk e dijnë se cilat marrëveshje i kemi nënshkruar. Por asnjëherë nuk i nënvlerësoj”, është shprehur Vuçiq.

Ai ka thënë se beson që mund të arrihen marrëveshje “të rëndësishme” në këto takime.