Vuçiq thotë se të premten do të takohet me ambasadorin Grenell

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka bërë të ditur se të do të takohet me të dërguarin special të presidentit amerikan Donald Trump për bisedimet Beograd-Prishtinë, Richard Grenell, të premten në mëngjes në Beograd.

Vuçiq deklaroi se qëndrimi i Amerikës ndaj Kosovës është në kundërshtim me marrëdhëniet ShBA – Serbi, por se sipas tij ata janë të gatshëm të dëgjojnë kërkesat dhe pikëpamjet e Serbisë.

“Unë nuk po them se tani SHBA do të vijnë në anën tonë, siç mund të mendojë dikush, por ata janë të gatshëm të dëgjojnë se cilat janë kërkesat dhe problemet tona, çfarë mendon Serbia në këtë drejtim. Në atë kuptim, unë mendoj se ne kemi hapur disa dyer pas të cilave ne mund të flasim më hapur me partnerët amerikanë sesa më parë”, tha Vuqiç për RTS nga Davos.

Nuk dihet nëse Grenell do të vijë edhe në Kosovë dhe KALLXO.com ka dërguar pyetje në presidencë dhe është duke pritur përgjigje.

Grenell ishte për herë të parë në Kosovë në tetor të vitit kaluar, pasi mori detyrën nga Trump si i dërguar special për bisedimet Beograd-Prishtinë, ku u takua me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërsa, ditë më parë është nënshkruar një marrëveshje që Kosova dhe Serbia të kenë një linjë ajrore, që u cilësua si iniciativë e Amerikës dhe është mbikëqyrur nga Grenell.

Marrëveshja, e bërë midis linjës ajrore gjermane Lufthansa, Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe një delegacioni nga Ministria e Ekonomisë së Serbisë, u nënshkrua në ambasadën amerikane në Berlin.