Vuçiq thotë se është i shqetësuar, sepse Kosova do filloj lobimin për njohje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot në Bled të Sllovenisë, se është i shqetësuar për faktin se Kosova po ndërmerr një aksion të ri lobimi për njohje, si dhe pranim në organizatat ndërkombëtare, raportojnë mediat në Serbi.

“Unë jam i shqetësuar për faktin, dhe ne morëm informacion, jo nga Miroslav Lajçak, por nga burime të inteligjencës, se Prishtina do të ndalojë plotësisht zbatimin e mëtejshëm të marrëveshjes së Ëashingtonit nga 4 shtatori”, u tha Vuçiq gazetarëve në paraqitjen e tij para mediave gjatë mbajtjes së Forumit Strategjik në Bled.

Siç citojnë mediat në Serbi, Vuçiq ka thënë se Kosova po fillon një aksion të ri lobimi për njohjen e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme, si dhe me kërkesat për t’u pranuar në organizatat ndërkombëtare nga Interpoli në UNESCO.

I pari i Serbisë ka thënë se është i bindur se kjo do të sjellë paqëndrueshmëri shtesë në rajon, dhe “është puna jonë të përgatitemi për këtë”.

Vuçiq tha gjithashtu se është e qartë se integrimi evropian i Serbisë është i lidhur me çështjen e Kosovës.

“Ne nuk mund të jemi pjesë e BE -së derisa të zgjidhim marrëdhëniet me Prishtinën, dhe kjo është e qartë për të gjithë dhe nuk duhet të gënjejmë”, u ka thënë ai gazetarëve pas bisedimeve me Miroslav Lajçak, të dërguarin e BE -së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.