Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq Foto nga transmetimi i OKB-së

Vuçiq thotë se do të dekorojë përfaqësuesit e shteteve që votuan kundër Rezolutës për Srebrenicën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në Nju Jork se do të dekorojë përfaqësuesit e shteteve “që ishin në anën e Beogradit” gjatë miratimit të Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në maj.

“E shoh se disa po çmenden sepse ne po dekorojmë njerëzit që mbrojtën ligjin ndërkombëtar dhe mbrojtën Serbinë. Kjo është çështje e brendshme e jona”, tha Vuçiq për gazetarët në Nju Jork më 23 shtator, në prag të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Disa media në Beograd paraprakisht kishin raportuar se Vuçiq do t’i ndajë dekoratë ambasadorit rus në OKB, Vasily Nebenzya.

“Ka, sigurisht, rusë dhe kinezë, nga Nikaragua dhe Meksika, Brazili, India, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kongo, varet nga niveli i mbështetjes”, shtoi Vuçiq.

Në maj, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën e cila shpalli 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Gjenocidi në Srebrenicë, i kryer në korrik të vitit 1995 nga pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Sërpka, la të vrarë të paktën 8.372 boshnjakë.

Tetëdhjetë e katër shtete votuan për rezolutën, 19 ishin kundër, përfshirë Rusinë dhe Kinën, ndërkaq 68 shtete abstenuan.

Rezoluta, veç tjerash, dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës.

Krimi në Srebrenicë më 2007 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë u njoh si gjenocid i kryer nga Ushtria e Republikës Sërpska. Srebrenica në korrik të vitit 1995 ishte zonë e mbrojtur e OKB-së.

Gjykata e njëjtë gjeti Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit. Gjykata po ashtu tha se Serbia ka shkelur obligimin për të ndëshkuar kryesit e gjenocidit.

Para këtij vendimi, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Në mesin e tyre janë edhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq. Të dy janë dënuar me burgim të përjetshëm./REL.