Vuçiq: Tedosijeviq tha të vërtetën për Reçakun

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq përmes një videoje ka reaguar pas vendimit dënues të Gjykatës së Apelit ndaj ish-ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Më 5 dhjetor 2019, Gjykata e Prishtinës i kishte shqiptuar dënimin me dy vjet burg efektiv ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai është gjetur fajtor nga Gjykata e Prishtinës, për një deklaratë të dhënë vitin 2018, me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Të njëjtin dënim, dje Gjykata e Apelit në Prishtinë ia vërtetoi – dy vite burgim.

Por, me këtë nuk është pajtuar as presidenti i Serbisë, Vuçiq. Ai madje, tha se deklarimet e Todosijeviq kanë qenë të vërteta mbi Reçakun.

“Një serb nga veriu i Kosovës, Ivan Todosijeviq, u dënua me dy vjet burg me një vendim përfundimtar vetëm sepse tha të vërtetën. E vërteta për Raçakun, e vërteta për gjithçka që i ndodhi popullit serb”, ​thotë ​Vuçiq në videon e postuar në profilin e tij në Instagram, raporton media serbe Tanjug.

Ndërkohë, sot gjyqtarët dhe personeli tjetër administrativ nga etniteti serb nuk dolën fare në punë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë të Veriut. Siç u raportua nga mediat lokale, ata nuk u pajtuan me vendimin e Apelit mbi dënimin e Ivan Todosijeviq.

Mediat raportojnë se gjyqtarët serbë, bojkotojnë punën në veri të Mitrovicës

www.kallxo.com