Vuçiq: Situata e Serbisë ka ndryshuar pas deklaratave të Putinit për Kosovën

Dy ditë pas takimit në Berlin me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe darkës joformale me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe të ngarkuarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dalë në një konferencë për media.

Vuçiq në adresimin e tij para qytetarëve tha se situata e Serbisë ka ndryshuar pas disa deklaratave që presidenti rus Vladimir Putin i ka bërë për Kosovën.

“Situata jonë ka ndryshuar shumë pas deklaratave që i ka bërë për Kosovën presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, jo pse ka pasë diçka ndikim në Serbi por çështjen e Kosovës e ka vendosur në një aspekt tjetër, në aspektin e interesave ruse. Unë nuk dua të luaj me deklarata dhe dua të ju sqaroj pse situata e Serbisë është kaq e vështirë për shkak të kësaj deklarate”, ka thënë Vuçiq.

Sipas deklaratë së Vuçiq, Putin iu referua vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, që sipas presidentit serb, duke dashur të mbrojë interesat ruse, gjeti një bazë ligjore dhe politike për pushtimin e Ukrainës dhe shtoi kjo nuk do të thotë se Rusia do ta njohë Kosovën.

“Rusia nuk do ta bëjë këtë, por Serbia do të jetë nën presion të madh për të njohur Kosovën, në mënyrë që Putini të mos mund të përdorë argumentet e Kosovës për ngjarjet në Ukrainë”, tha Vuçiq, raporton Tanjug.

Serbia mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka sanksionuar shtetin rus, me gjithë thirrjet e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara.

Vuçiq për takimin në Berlin: Pati tentim që dialogu të rinisë por zotërinjtë nga Prishtina nuk e duan këtë