Aleksandar Vuçiq
Vuçiq: Serbët nga Kosova të indinjuar nga Prishtina dhe komuniteti ndërkombëtar
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një konferencë për media pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe ka thënë se qytetarët serb nga jugu dhe veriu kanë shprehur indinjatën e madhe për shkak të autoriteteve të Prishtinës, por edhe për shkak të heshtjes së bashkësisë ndërkombëtare, raporton RTS.
Vuçiq tha se java në vazhdim do të jetë e vështirë dhe se do të duhet të merremi me përgatitjen e përgjigjeve, racionale dhe të arsyeshme.
“Dëshira e tyre e vetme është që të mos ketë serb në Kosovë. Mesazhi im është se kjo nuk do të ndodhë. Do të ketë serb në Kosovë, kjo është shtëpia e tyre, kjo është atdheu i tyre, kështu ka qenë. kështu do të jetë”- citohet të ketë thënë Vuçiq në fund të fjalimit të tij.
Vuçiq ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti Kurti ‘nuk ndalet së rrezikuari sigurinë e serbëve dhe emigrimi tinzar, e ndonjëherë edhe krejt i hapur i serbëve nga Kosova’.
“Kurti nuk pushon së rrezikuari sigurinë e serbëve”- citohet të ketë thënë Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot në Beograd është takuar me përfaqsuesit e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbe në Kosovë.
Ky takim vjen disa ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme që janë paraparë të mbahen në katër komunat veriore të Kosovës, më 23 prill 2023.
Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pasi tha se nuk janë përmbushur kërkesat që e shtynë të largohet nga institucionet e vendit.
Për mospjesëmarrjen e Listës Serbe në këto zgjedhje Bashkimi Evropian dhe Quint-i shprehën keqardhje.