Vuçiq: Sa të jetë Kurti, nuk ka asgjë nga dialogu

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për takimin që ishte planifikuar të mbahej më 19 korrik në Bruksel, por që sipas Kurtit nuk u mbajt pasi Beogradi kërkoi kohë shtesë, raporton Kossev.

Sipas këtij mediumi, Vuçiq ka thënë se “nuk ka asgjë në dialogun me Kosovën përderisa në krye është Albin Kurti”.

“Përderisa është Kurti atje, nuk ka asgjë nga këto, dhe sa i përket thirrjeve për dialog, unë gjithmonë do të shkoj”, citohet se ka thënë Vuçiq duke shtuar se “Por aty nuk ka asgjë. Ai vendosi të mos dialogonte, të mos bënte asnjë kompromis. Për të, kompromisi është njohje reciproke. Sikur të kemi mall për njohjen e diçkaje që nuk është në të drejtën publike ndërkombëtare, kështu që nuk dimë për çfarë të flasim”.

Tutje raportohet se Vuçiq ka thënë se atë “e shqetëson papërgjegjshmëria e Albin Kurtit dhe situata në Kosovë’.

Ssiç raportohet presidenti i Serbisë ka thënë se “populli i këtij vendi do të bëj çmos për të ruajtur paqen dhe stabilitetin.

Lidhur me deklaratën e Kurtit ka reaguar edhe drejtori i “Zyrës për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Ai deklaratën e Kurtit e ka cilësuar si gënjeshtër.

“Është një gënjeshtër famëkeqe dhe lehtësisht e verifikueshme e thënë nga Albin Kurti kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiq sot se është Beogradi ai që gjoja po saboton dialogun”, raporton Kossev duke shtuar se Petkoviq ka paralajmëruar se Kurti në fakt po përpiqet të shkaktojë një krizë të re.

Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës ka folur për marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se është i gatshëm që gjithmonë të udhëtojë në Bruksel për takimin e radhës mes tij dhe presidentit serb Vuçiq në kuadër të dialogut. Kurti ka shtuar se takimi mes tyre, mbase mund të mbahet në fund të gushtit.

Kryeministri e përmendi edhe takimin që ishte i planifikuar më 19 korrik mes tij dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, por që nuk u mbajt pasi sipas Kurtit, Beogradi refuzoi këtë takim.

“Jam gjithmonë i gatshëm që të udhëtoj për Bruksel, për takimin e radhës dhe një takim i tillë ishte në plan që të mbahet më 19 korrik, por nuk u mbajt, pasi Beogradi zyrtar e refuzoi atë dhe kërkoi një shtyrje mbi njëmujore.  Pra, në vend se të ndodhë takimi me 19 korrik, tash shpresohet që mbase mund të mbahet në fund të gushtit”, ka thënë ai.

Kurti thotë se është i gatshëm gjithmonë të udhëtojë në Bruksel për takimin e radhës me Vuçiqin